Arbëri

Nis ndërtimi i qendrës për aftësim profesional në Podujevë

Në Podujevë sot është vënë gurthemeli i ndërtimit të qendrës për aftësim profesional për punë kërkuesit e kësaj komune, e cila do të fillojë së pari me aftësimin e punë kërkuesve në sektorin e teknologjisë informative, parukerisë dhe tekstilit.

Ministri në detyrë i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi e ka quajtur lajm të mirë nisjen e ndërtimit të kësaj qendre për gjithë punëkërkuesit e komunës së Podujevës.

“Qendra e aftësime profesionale do të ofrojë disa kurse, por të jemi korrekt, ne do të jemi fleksibil dhe varësisht nga kërkesat, të cilat i kanë punëkërkuesit në Podujevë, ne do të ofrojmë edhe kurse tjera. Ne do të fillojmë me IT-i, parukeri, tekstil, por Podujeva ka marrë një emër te kultivimi i mjedrës dhe është bërë model në tërë Kosovën dhe do të tentojmë që edhe atë ta fusim dhe Podujeva të jetë model në kultivimin e mjedrave për tërë Kosovën. Por sot jemi në vënien e një gurthemeli që ka mbi 500 metra katrorë dhe do të ofrojë kushte të mira për aftësim profesional për gjithë punëkërkuesit e Podujevës”, tha Abrashi.

Ndërsa, kryetari i komunës së Podujevës Agim Veliu, ndërtimin e kësaj qendre e ka vlerësuar si tejet të rëndësishme për qytetarët, sidomos për nxënësit që kanë zgjedhur rrugën profesionale.

“Ky projekt për qytetarët të Podujevës, veçanërisht i nxënësve të shkollave profesionale është i një rëndësie të veçantë. Ne e mirëpresim fillimin e punimeve sot, kjo ka qenë kërkesë e kahershme e Podujevës, duke pasur parasysh se është komuna më e madhe me hapësirë, është komunë që i nevojitet një qendër e tillë, duke pasur parasysh edhe numrin e madh të nxënësve. Ne kemi vendosur që këtë objekt ta ndërtojmë këtu, në afërsi të shkollës së mesme profesionale, dhe do të jetë më e lehtë për nxënësit dhe gjithë personelin që të shërbehen me këtë objekt, i cili besoj do të sjellë të mira për ngritjen profesionale për nxënësit që e kanë nisur rrugën profesionale”, tha Veliu.

Kjo qendër për aftësim profesional do të ketë hapësirë për 500 metra katrorë dhe do të kushtojë 149 mijë euro, derisa do të përfundojë për pesë muaj.