Arbëri

Podujeva nis ndryshimin e Hartës zonale pa e miratuar draftin e vjetër

Descriptive Text

Kuvendarët e Podujevës e kanë miratuar propozim-vendimin për ta hedhur në diskutim publik draftin e Hartës zonale e cila nuk ishte miratuar asnjëherë në Kuvend. Ky dokument i kishte kaluar të gjitha procedurat e parapara gjatë mandatit të LDK-së, por në ditën kur ishte paraparë që të miratohet, ish-pushteti e kishte hequr nga rendi i ditës. Tash drejtori për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Bujar Hasani, ka thënë se duhet ta ndryshojnë draftin e këtij dokumenti në disa pika, pasi i njëjti nuk i trajton njësoj ndërtuesit.

Ai ka theksuar se pas konfirmimit nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që mund të bëjnë ndryshimet e Hartës zonale kanë vendosur që ta hedhin në diskutim publik në procedurë të shpejtë. Ka thënë se kjo po bëhet me qëllimit që të kenë një Hartë zonale të aplikueshme, të jetë një dokument ku ankesat e qytetarëve merren parasysh, që bizneseve t’u krijohet hapësirë për zhvillim, që ndarja në blloqe brenda zonës urbane të jetë pa dallime në kushte barabarta, që bujqësisë t’i jepet prioritet në zhvillim.

Image

“Për këto nevojitet përkrahja juaj që të vihet në shqyrtim publik në afat të përshpejtuar prej 15 ditësh. Duke u bazuar në Udhëzimin Administrativ 05/2014, neni 8, pika 4. Pikat në të cilat nevojiten ndryshme janë: Rishikimi i blloqeve dhe etazhitetit në zonën urbane; Të rishikohet dispozita e Hartës zonale për përfshirjen e ndërtesave bujqësore në tokë bujqësore (ashtu siç e ka përcaktuar drafti i HZ të Kosovës); Të rishikohet kufiri i tokës ndërtimore në fshatrat përreth qytetit (gjithsej 10 vendbanime)”, është shprehur Hasani.

Sipas tij, duhet të rishikohen edhe koeficientët e ndërtimit në vendbanimet përgjatë rrugës Podujevë-Prishtinë (për gjithsej 12 vendbanime), si dhe rishikimi i kufirit të zonës ekonomike-zgjerimi i saj.

“Po ashtu pas konsultimeve të shumta me Ministrinë e Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës jemi dakorduar se pas këtyre ndryshimeve dhe miratimit të hartës zonale duhet të fillohet me hartimin e Planit Zhvillimor Komunal, duke u bazuar në Ligjin e ri të planifikimit Hapësinor”, ka shtuar ai.

Përkrahje ka marrë nga të gjitha Grupet e këshilltarëve komunalë. Shefi i GK të LDK-së, Hasan Ajeti, ka thënë se ky dokument është përgatitur kur Lidhja Demokratike e Kosovës ka qeverisur Komunën. Edhe shefi i GK të LVV-së, Florent Hasani, e ka mbështetur propozim-vendimin që drafti i Hartës zonale të vihet në diskutim publik. Ndërsa, shefi i GK të PDK-së, Fatmir Rudari, ka kërkuar që ky dokument të bëhet sa më shpjet funksional. Propozimi për vënie në diskutim publik të Hartës zonale është përkrahur njëzëri nga këshilltarët komunalë.