Arbëri

Qytetarët e Lipjanit vazhdojnë të përballen me pickimin e insekteve

Qytetarët e Komunës së Lipjanit prej disa vitesh gjatë sezonit veror po përballen nga mushkonjat dhe insektet e shumta si pasojë e mos dezinfektimit, deratizimit dhe dezinsektimit, të hapësirave publike në fshatra dhe lagje urbane. Gjatë ditëve të fundit këto shqetësime janë adresuar më së shumti te organizata joqeveritare “YAHR” e cila monitoron zhvillimet në Komunën e Lipjanit. Kjo organizatë ka kërkuar nga komuna me urgjencë të ndajë një pjesë të buxhetit për realizimin e këtij projekti.

Bekim Krasniqi, drejtor në këtë OJQ, ka thënë se gjatë periudhës së fundit kohore kanë pranuar ankesa të shumta nga banorët e disa lokaliteteve dhe disa lagjeve urbane të qytetit të Lipjanit të cilët po ndihen të rrezikuar nga mushkonjat dhe insektet e ndryshme.

“Krejt kjo po ndodh si pasojë e mos dezinfektimit të hapësirave publike nga komuna. Ankesa të tilla ka pasur edhe në të kaluarën nëpër dëgjime buxhetore të organizuara nga komuna, mirëpo edhe ky vit po kalon pa u realizuar një projekt i tillë, prandaj sugjerojmë komunën që të angazhohej për të ndarë një pjesë të buxhetit për këtë projekt sepse është në të mirën e qytetarëve”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka shtuar se derisa komuna përballet me kufizime buxhetore për këtë vit, organizata do të angazhohen për të bërë kërkesë zyrtare në mënyrë që komuna ta planifikoi të paktën për vitin e ardhshëm një projekt të tillë për dezinfektimin, deratizimin dhe dezinsektimin e hapësirave publike në qytet dhe në fshatra.

“Komuna, pikërisht drejtoria e shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale duhet ta ketë parasysh këtë projekt sepse edhe në të kaluarën në fshatin Janjevë janë lënduar dhjetëra qytetar dhe fëmijë nga mushkonjat, pleshtat, dhe insekte të ndryshme. Për projekte të tilla komuna e Lipjanit duhet të marrë shembuj nga komuna e Shtimes dhe ajo e Ferizajt të cilat brenda sezonit veror 3-4 herë e bëjnë dezinfektimin e ambientit”, ka shtuar Krasniqi.

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan, nuk kanë dhënë detaje se sa është numri i rasteve të regjistruara nga pickimi i insekteve, por burime të KOHËS kanë thënë se rastet e tilla paraqiten herë pas here.

“Përveç telasheve të tjera që paraqiten nga pickimi i insekteve, shpeshherë mund të shkaktohet edhe alergji sidomos tek fëmijët. Andaj raste të tilla ka të regjistruara edhe në QKMF të Lipjanit por nuk mund ta dimë numrin e saktë të tyre”, ka thënë një nga punonjësit e këtij institucioni, duke kërkuar që të mos i publikohet identiteti.

KOHA ka provuar të marrë edhe një deklaratë nga drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Merita Bytyqi, por ajo nuk ka qenë e qasshme.

Por të frikësuar nga pickimi i mushkonjave janë vet qytetarët të cilët kanë kërkuar nga institucionet që të kujdesen për ambientin.

“Sezoni veror ka sjellë ndryshime të shpeshta të temperaturave, ndërkohë ne si qytetar po kemi telashe nga pickimi i insekteve të ndryshme të cilat mund të shkaktojnë epidemi dhe sëmundje të ndryshme. Mendoj se më të rrezikuarit janë fëmijët, andaj komuna duhet ta marrë me seriozitet këtë çështje sepse ne si bashkatdhetar kem dëshirë që vendin tonë ta shohim sa më mirë dhe sa më të pastër në të gjitha fushat”, ka thënë Lulzim Zejnullahu, bashkatdhetar nga Lipjani.