Arbëri

Ndërtimi i Bulevardit të qytetit lë të bllokuar banorët e disa objekteve kolektive në Podujevë

Descriptive Text

Të bllokuar kanë mbetur banorët e disa objekteve kolektive në qendër të Podujevës. Ndërtimi i Bulevardit të qytetit e ka mbyllur një pjesë të rrugës “Zahir Pajaziti” nëpërmjet së cilës kanë lëvizur më herët këta banorë.

E mbyllja e kësaj rruge po ua pamundëson atyre që të kenë qasje me automjete në parkingun e objekteve ku banojnë. Banorët thonë se detyrohen që t’i lënë veturat në parkingje private, për të cilat paguajnë 30 euro në muaj.

“Bulevardi u ndërtua, na e kemi pas rrugën për me ardhë deri në parking, po tash nuk kemi kurrfarë rruge. E me na ba një zgjidhje, një alternativë për me ardhë deri në parking. Se na po e blejmë harxhin, edhe na po duhet me bartë harxhin prej 1 kilometër për me ardh deri këtu”, thotë në kushte anonimiteti një banor.

Ai thotë se qeveria e mëparshme nuk u ka bërë zgjidhje para se të mbyllej qendra e qytetit, ndërkohë që e ka një lutje për qeverinë e re në këtë komunë.

“Automjetin e lë në parkingje private, e paguaj 30 euro në muaj. E pse unë me pagua t’u e pas parkingun tonë. E lus qeverinë e re me na ba një mundësi për me ardhë deri te parkingu”, ka thënë ai.

Image

Zgjidhje për këta banorë ka kërkuar edhe drejtori ekzekutiv i Rrjetit të Organizatave joqeveritare “Demokrcia Fillon Këtu”, Shemsi Jashari. Ai thotë se Komuna do të duhej t’ua gjente një parking alternativ derisa t’u bëhet një zgjidhje afatgjate.

“Investimet komunale në infrastrukturë, domosdo se derisa të kryhen do të jenë pengesë për ata banorë që jetojnë afër sheshit. Ajo që Komuna e Podujevës do të duhej ta bënte para se të bllokohej qasja për automjete për ata banorë do të duhej të bënte zgjidhje se ku do t’i parkonin veturat banorët, derisa nuk kryhet projekti, duke siguruar një parking alternativ që është afër në mënyrë që banorët të mos dëmtoheshin”, ka theksuar Shemsi Jashari.

Sipas tij, si shoqëri civile vazhdimisht kanë bërë thirrje që për projektet kapitale kur afektohen banorë të caktuarë të ketë debate publike dhe bashkëpunim me banorë në mënyrë që, siç thotë ai, bashkë me banorë të gjendet zgjidhje për sfidat gjatë implementimit.

Ndërkohë, zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, ka thënë se kanë kërkuar mirëkuptim nga banorët derisa të kryhen punimet në shesh dhe pastaj do t’u bëjnë zgjidhje.

“Për shkak të punimeve që janë duke u zhvilluar në shesh kemi ardhur deri te mbyllja e përkohshme e hyrjeve në parkingun prapa banesave dhe për këtë janë të njoftuar banorët me kohë. Prej tyre ne kemi kërkuar mirëkuptim deri në përfundimin e sheshit dhe po punohet intezivisht që sa më shpejtë të përfundojë pjesa e dytë e Bulevardit dhe t’u krijohet qasja në qarkullim me automjete për këta banorë”, është shprehur Fatri Zhitia.

Tash për tash këta banorë nuk kanë qasje në parkingun e tyre prapa banesave, përveç atyre që jashtëligjshëm qarkullojnë nëpërmjet shëtitores për këmbësorë buzë lumit Llap.

“Lëvizjet ilegale nuk janë në kompetencën tonë, por të policisë dhe ne këtë brengë e kemi paraqitur para organeve të rendit. Ndërsa, posa të kryhen edhe disa punime në ndërtimin e Bulevardit do të krijohet hyrja te pastiqeria ‘Kimi’ për qarkullim të automjeteve dhe do të shfrytëzohet vetëm nga banorët e objekteve banesore në shesh. Kjo është zgjidhja më efikase dhe më funksionale pa e penguar qarkullimin e këmbësorëve në shesh”, ka theksuar zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Zhitia.

E për këtë alternativë, Jashari ka kërkuar nga zyrtarët komunalë që të vendosen laurat për ta pamundësuar hyrjen e personave tjerë.

“Sa i përket hyrjes për vetura të banorëve mendoj se banorët duhet të pajisen me kartela për qasje në parking të banesave dhe në pjesën ku kalon sheshi të vendosen laura që e pamundëson hyrjen e personave tjerë përveç banorëve derisa nuk ndërtohet parking tjetër që do të ishte zgjidhje për banorët”, ka thënë ai.

Image