Arbëri

Lista Guxo në Ferizaj insiston se në zgjedhjet lokale garon pa Vetëvendosjen

Lista Guxo në Ferizaj nuk është pajtuar me deklaratën e Donika Gërvalles e cila ka thënë se kjo listë edhe në zgjedhjet komunale do të garojë bashkë me Lëvizjen Vetëvendosje.

Përmes një postimi në Facebook dega e Listës Guxo në këtë komunë ka njoftuar se më 3 qershor 2021 është marrë vendim që të garojnë si subjekt i veçantë në zgjedhjet lokale për Asamblenë Komunale.

“Procedurat e regjistrimit si iniciativë janë tashmë në proces sikurse edhe përgatitjet teknike. Ne do të garojmë me 45 kandidatë për Asamblenë Komunale dhe kandidatin për Kryetar të Komunës e kemi lënë të hapur si mundësi. Ky vendim ka ardhur pas kërkesave të pareshtura të votueseve dhe aktivistëve tonë, të cilët na kanë mbështetur në zgjedhjet nacionale”, thuhet në njoftim.

Anëtarët e kësaj dege thonë se e kanë përkrahur Vjosa Osmanin për shkak të pakënaqësive që kishin me lidershipin e vjetër të LDK-së por, në asnjë moment ne nuk janë zotuar para elekroratit se do të shkrihen brenda Lëvizjes Vetëvendosje apo cilit do subjekt politik,.

“Prandaj, vendimi ynë është përmbushje e premtimit tonë ndaj elektoratit për ta vazhduar frymën rugoviane dhe angazhimi ynë do të jetë gjithmonë në përkrahje të personaliteve politike, të cilët ja duan dhe punojnë për të mirën e shtetit. Ne shumë shpejtë do ta publikojmë listën me 45 kandidatë. Ne jemi të hapur të bashkëpunojmë me Lëvizjen Vetëvendosje dhe çdo subjekt tjetër e personalitet politik, që punon për të mirën e shtetit të Kosovës dhe për qytetarët e komunën sonë , por asnjëherë nuk do të punojmë për interesa të ngushta personale dhe nuk do të devijojmë nga rruga e Presidentit Historik Dr.Ibrahim Rugova”, thuhet në njoftim.