Arbëri

Vlerësohet i jashtëligjshëm vendimi i KK të Prizrenit për shujtat e administratës komunale

Descriptive Text

Vendimi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit për pagesën e shujtave për të gjithë punonjësit e administratës komunale është kthyer prapa nga niveli qendror. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) pas shqyrtimit të këtij akti ka vlerësuar se ai është i jashtëligjshëm.

Kryesuesi i KK-së, Sulltan Badalli, dhe kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, përmes një shkrese të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) janë njoftuar për vlerësimin e bërë nga MFPT-ja. Badalli ka konfirmuar pranimin e kësaj shkrese. Në këtë komunikim MAPL-ja, duke theksuar pranimin e vendimit për lejimin e pagesës për shujta për të gjithë të punësuarit e administratës në Komunën e Prizrenit ka bërë të ditur se këtë akt e ka dërguar në MFPT, si institucion përgjegjës për vlerësimin e ligjshmërisë. Ndërkaq MFPT-ja ka kërkuar rishqyrtimin e aktit të KK-së së Prizrenit, meqë ai bie ndesh me dispozitat e caktuara ligjore.

"Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve pas shqyrtimit përmbajtjesor të aktit të mësipërm të Komunës së Prizrenit vlerëson se akti i Komunës është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi", thuhet në shkresën e MFPT-së. Kjo ministri ka sqaruar se organet komunale me këtë vendim synojnë lejimin e pagesës së shujtave për të punësuarit në Komunën e Prizrenit, ku në nenin 5 specifikohet se pagesa synohet të bëhet nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, si dhe nga kategoria e subvencioneve dhe transfereve.

"Në këtë drejtim, neni 13, paragrafi 6 i Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, specifikon qartë se: 'shpenzimi i parave publike nga kategoria mallra dhe shërbime nuk është i lejuar për pagesën e punonjësve, qoftë në formë të shtesave apo si kontribute në mall, përfshirë këtu shujtat apo dhuratat duke përjashtuar rimbursimin apo shpenzimet e lejuara për udhëtimet jashtë vendit, sipas legjislacionit përkatës'. Konform interpretimit të kësaj dispozite, Komunës së Prizrenit i pamundësohet realizimi i masës së përcaktuar në aktin komunal përmes kategorisë buxhetore mallra dhe shërbime", ka njoftuar Ministria.

Tutje, duke shqyrtuar mundësinë e Komunës për realizimin e vendimit përmes subvencioneve dhe transfereve, MFPT-ja ka konsultuar Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, duke përkujtuar se në kontekst të shpenzimit të parasë publike, neni 17, paragrafi 1 dhe 2 i këtij ligji përcaktojnë se shpenzimi i parave publike mund të bëhet vetëm për qëllime të miratuara publike, si dhe nga fondet e ndara dhe të alokuara.

“Ministria, në konsultim me dispozitat ligjore të përcaktuara në Ligjin e buxhetit, si dhe me strukturat përgjegjëse të Ministrisë për buxhetin e Komunës së Prizrenit, ka evidentuar se organizata buxhetore në fjalë nuk i ka të planifikuara e as të miratuara publikisht shpenzimet e potencuara me aktin administrativ komunal. Kjo, rrjedhimisht bie ndesh me frymën e LMFPP-së, si dhe me limitet e përcaktuara për organizatën buxhetore me Ligjin e buxhetit. Në këtë kuptim Ministria i rikujton Komunës së Prizrenit që në procedim të mëtejshëm me aktin komunal të veprohet në përputhje me mundësitë buxhetore të Komunës, si dhe në pajtim me përgjegjësinë e organizatave buxhetore në shpenzimin e parasë publike, ashtu të përcaktuar me dispozitat ligjore në LMFPP", thuhet në shkresë.

Bazuar në këto konstatime, MFPT-ja i ka propozuar MAPL-së që të kërkojë nga Komuna e Prizrenit ndërmarrjen e veprimeve konkrete për rishqyrtimin e këtij akti brenda afatit 30-ditor, me qëllim që ta harmonizojë atë me ligjet në fuqi.

Vendimi për lejimin e pagesës së shujtave për të gjithë të punësuarit e administratës komunale është miratuar nga Kuvendi i Prizrenit në seancën e mbajtur më 21 maj 2021. Për aprovimin e këtij vendimi patën votuar njëzëri 28 anëtarët e pranishëm në sallë. Paraprakisht drejtori i Administratës, Osman Hajdari, pati sqaruar se kërkesa për shujtat është parashtruar nga Sindikata e Shërbimit Civil të Komunës së Prizrenit. “Kjo kërkesë është legjitime”, pati thënë ai, duke shpjeguar se plani është që shujtat të paguhen përmes subvencioneve, me vlerën e përafërt prej 200 mijë eurove. “Na duhet një vendim i KK-së, ndërsa implementimin mund ta bëjmë deri në fund të vitit”, pati deklaruar Hajdari para anëtarëve të KK-së. Në anën tjetër kuvendarët nga radhët e partive opozitare patën shprehur mbështetjen për realizimin e kësaj nisme, bashkë me thirrjen që shujtat në mënyrë të rregullt t’u paguhen edhe punonjësve të arsimit.