Arbëri

Anulimi i memorandumit nga MI-ja lë të paasfaltuar 10 km rrugë

Ministria e Infrastrukturës ka anuluar disa memorandume me komuna të ndryshme, të cilat ishin nënshkruar nga pushteti i kaluar.
Në mesin e tyre është anuluar edhe memorandumi për asfaltimin e rrugës 10-kilometërshe që lidh disa fshatra të Komunës së Ferizajt me atë të Gjilanit.

Njazi Beluli , përfaqësues i fshatit Talinoc, ka thënë se zgjerimi dhe asfaltimi i kësaj rruge me shtigje për biçikleta dhe me ndriçim publik janë të domosdoshme për dhjetëra fshatra e qindra biznese.

“Një rrugë shumë kryesore dhe një rrugë shumë e kërkuar nga komuniteti ku figurojnë në këtë rrugë edhe fshatrat Talinoc, Sazli, Papazi, Muhovci, Softaj, Rahovica, mandej vazhdon dhe lidhet me Mirash”, ka thënë Njazi Beluli , përfaqësues i fshatit Talinoc.

E Ibrahim Latifi, përfaqësues i fshatit Pojatë, thotë se projekti është ndërprerë nga Qeveria aktuale.

“Ky projekt është nënshkruar nga ish qeverisja e kaluar dhe është ndërprerë nga kjo qeveri e tashme, por ne si banorë të këtij regjioni kërkojmë që të fillojnë sa më shpejt punimet në këtë rrugë për shkak se nuk duhet shikuar çështjet politike e partiake, por të punohet për shtetin dhe për banorët e këtij regjioni”, ka thënë ai.

Drejtori për Infrastrukturë në Komunën e Ferizajt, Arbër Bytyqi, ka thënë se Ministria e Infrastrukturës jashtëligjshëm po i shkëput memorandumet me komuna derisa një gjë e tillë nuk mund të ndodhë pa pëlqimin e të dyja palëve.

“Anulimi i këtyre memorandumeve pa asnjë arsyetim pasi që këto memorandume, po flas për memorandumin e Ferizajt ka qenë pjesë edhe e buxhetit të Ministrisë së Infrastrukturës, andaj është i papranueshëm për Komunën e Ferizajt dhe derisa memorandumet nënshkruhen prej të dy palëve, është mirë që të merret edhe aprovimi i palës tjetër”, ka pohuar Bytyçi.

Ministria e Infrastrukturës nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me anulimin e këtyre memorandumeve.