Arbëri

ZKA: Komuna e Klinës asfaltoi rrugë private në 4 fshatra

Një auditim i Zyrës Kombëtare të Auditimit bërë komunës së Klinës ka vënë në pah një sërë shkeljesh dhe gjetjesh nga auditori. Njëra nga këto ishte rasti kur komuna e Klinës në 4 fshatra gjatë realizimit të projekteve kapitale kishte asfaltuar rrugë në prona private.

“Gjatë testimit të projekteve kapitale të realizuara për asfaltimin e rrugëve në fshatrat Dollovë, Grabanicë, Dush dhe Jellovë, kemi vërejtur se investimet përkatësisht asfaltimi i rrugëve ishte duke u realizuar në prona private. Komuna kishte marrë pëlqim nga pronarët e tokave për të realizuar investimin, por nuk kishte ndërmarrë asnjë procedurë ligjore që pronat në të cilat po kryhen investimet të kthehen në pasuri të komunës sikur edhe parashihet me ligjet në fuqi”, thotë raporti i Audimit.

Më tutje auditori vë në pah se zyrtarët e Komunës këtë e kishin arsyetuar me faktin se nëse do të zhvilloheshin procedura të shpronësimit do të rriteshin kostot për komunën dhe në këtë mënyrë do të zvogëlohej mundësia financiare e Komunës për të investuar në projekte kapitale.

Por auditori tërheq vërejtjen se realizimi i projekteve të tilla rrit rrezikun që vlera investive e tyre të mos i dedikohet interesave të gjëra të qytetarëve dhe se komuna rrezikon të përballet me padi në të ardhmen nga pronarët e parcelave, ku përveç kompensimit të shpronësimit do të shkaktohen edhe shpenzimet tjera shtesë.