Arbëri

Në Klinë shënohet numri më i ulët i pickimeve nga rriqra në vitet e fundit

Prej që ka filluar sezoni i pickimeve para katër muajve, në tërë territorin e komunës së Klinës, si zonë endemike, janë regjistruar 38 raste të pickimeve nga rriqrat. Infektologu Haxhi Ibishi, i cili është edhe drejtor i Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Klinë “Nëna Terezë”, tregoi të enjten për KOHËN se deri tash nuk është shfaqur asnjë rast i infektimit, që do të mund shkaktonte sëmundje të etheve hemorragjike.

“Deri tash kemi regjistruar 38 raste të pickimit nga rriqrat. Dhe ky numër i pickimeve krahasuar me vitet e kaluara është shumë i vogël. Fatmirësisht nuk e kemi të regjistruar asnjë të infektuar dhe nuk e kemi asnjë të shtrirë në spital nga pickimi”, thotë Ibishi.

I tërë territori i komunës së Klinës është i shpallur zonë endemike, pa lënë jashtë kësaj zone as edhe një vendbanim të kësaj komune. Zakonisht viteve të kaluara numri i të pickuarve nga rriqrat ka qenë mbi 300 raste.

“Realisht janë shumë arsye pse numri është kaq i vogël. Është vetëdijesuar popullata nga fushatat e zhvilluara vetëdijesuese. Pastaj kositet bari vazhdimisht dhe popullata nuk e lë të rritet. Shumica e popullatës po mban edhe pula nëpër oborre, të cilat nuk i lënë rriqrat të zhvillohen. Dhe çka është kryesorja njerëzit e pickuar nuk bëjnë asnjë manipulim, por kur ndodh pickimi menjëherë vijnë te mjeku”, tregon Ibishi arsyet pse ka rënë numri i pickimeve nga rriqrat dhe nuk ka të sëmurë.

Por, pavarësisht se numri i pickimeve është më i ulëti që është shënuar viteve të fundit, institucionet shëndetësore të Klinës apelojnë qytetarët që t’u përmbahen rekomandimeve të Institutit Kombëtar.