Arbëri

Banorët e Dardanisë, kritikojnë kompaninë “Ambienti” për mosmirëmbajtjen e tregut javor

Banorët e fshatit Dardani të komunës së Ferizajt prej vitesh po vazhdojnë të përballen me kundërmim të mbeturinave të cilat po grumbullohen në tregun javor (të dielën) në këtë fshat. Kjo kompani publike është e obliguar t’i pastroi mbeturinat derisa shitësit paguajnë taksa javore ndaj kompanisë për shfrytëzimin e hapësirës, por mbetjet nuk po pastrohen nga askush. Rreth kësaj çështje banorët e këtij fshati janë ankuar disa herë në komunë dhe te kompania përgjegjëse “Ambienti”, mirëpo deri tashti nuk janë shqyrtuar ato.

Fadil Halili, kryetar i fshatit Dardani, ka thënë se kjo kompani është përgjegjëse për ta pastruar hapësirën e tregut të kafshëve dhe të gjelbër, derisa inkason të hyra nga shitësit. Sipas tij, mbetjet e fermerëve duhet të pastrohen të dielën pas përfundimit të tregut me arsyetim se erërat po i bartin këto mbetje në rrugë. “Mbetjet e fermerëve që shesin pemë dhe perime po barten në rrugën regjionale nga erërat gjatë natës, ndërkaq për pastrimin e tyre është përgjegjëse kompania “Ambienti”, mirëpo kjo kompani nuk po e benë një gjë të tillë me kohë. Pra ne kemi kërkuar dhe jemi pajtuar me kompaninë që kjo hapësirë të pastrohet menjëherë të dielën pas përfundimit të tregut, por ende nuk e di se a është vendosur një gjë e tillë. Këto mbetje nga tregu po shkaktojnë edhe kundërmim, prandaj duhet të mirëmbahet tregu”, ka kërkuar Halili.

Edhe Granit Lipovica, banorë nga ky fshat ka thënë se çdo të diele hapësira e tregut është e mbushur me mbeturina, ndërkohë ato po barten në magjistrale nga erërat dhe nga qentë endacak. Ai sqaron se ka kontaktuar edhe me drejtorin e kompanisë “Ambienti” për këtë çështje, mirëpo gjatë së dielës nuk ka mundur ta angazhoi ndonjë punëtor për ta pastruar tregun. “Në këtë fshat çdo të diele mbahej pazari i kafshëve dhe pazari i pemëve e perimeve, ndërkohë kjo kompani është e obliguar t’i pastroi me kohë mbetjet e fermerëve. Këtu është kundërmimi i madh, andaj po e vështirëson jetesën tonë sepse po grumbullohen edhe qentë endacak gjatë gjithë kohës”,është ankuar ai.

Po ashtu rreth kësaj çështje është angazhuar disa herë edhe Xhevat Sallahu, këshilltar në KK të Ferizajt nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ka sqaruar se kompania “Ambienti” ka dështuar ta menaxhojnë tregun në këtë fshat, andaj ka kërkuar edhe përgjegjësi derisa tregu nuk po pastrohet. “Çdo të diele tregu i kafshëve dhe i gjelbër përfundon rreth orës 14:00, mirëpo mbeturinat të cilat mbesin në këtë hapësirë publike nuk po i pastron askush, madje afër saj është edhe objekti shëndetësor në të cilin ka vazhdimisht frekuentim të pacientëve. Punëtorët e kësaj kompanie përveçse e marrin një taksë nga bizneset, nuk e pastrojnë atë, ndërkohë erërat po i bartin mbeturinat e tregut në magjistralen Ferizaj-Gjilan”, ka kritikuar Sallahu. Ai ka sqaruar se këtë çështje disa herë e ka ngritur te drejtori i shërbimeve publike në komunë por edhe te drejtori i kompanisë “Ambienti”, mirëpo deri tashti nuk janë marrë masa konkrete për ta menaxhuar më mirë këtë treg. “Kjo kompani publike e ka për obligim mirëmbajtjen e tregjeve të Komunës së Ferizajt, mirëpo një gjë e tillë nuk po ndodh, prandaj kërkojmë edhe një herë që të merren masa edhe nga komuna”, ka thënë Sallahu.

Image

Ndërkaq, Arben Halili, drejtor për Shërbime Publike në komunën e Ferizajt, ka thënë se tregu në Dardani është në gjendjen më të mirë të mundshme në aspektin e investimeve kapitale, derisa së fundi është bërë edhe rrethoja. “Çdo investim që është bërë aty ka qenë në bashkëpunim të plotë me kryetarin e këtij fshati dhe kuvendarët e atyre lokaliteteve. Pra jemi detyruar që ta bëjmë rrethojën e tregut, por shitësit prapë se prapë po dalin jashtë rrethojës sa më afër rrugës. Kemi intervenuar edhe me inspektorat dhe me Polici, ndërkohë janë zotuar se nga java e ardhshme do të punojnë të gjithë brenda rrethojave. Ndërkohë do të kërkojmë nga kompania “Ambienti” që pjesa e tregut të pastrohet të dielën”, ka thënë Halili.

Nga ana tjetër, Faruk Hyseni, drejtor i kompanisë “Ambienti” në Ferizaj, ka njoftuar se deri tash kjo hapësirë publike është pastruar të hënën pasi që të gjithë punëtorët e përfundojnë orarin e punës në ora 14:00. “Jemi duke i shikuar mundësitë që punëtorëve t’ia ndryshojmë orarin e punës në mënyrë që tregu në Dardani të pastrohet të dielën pasi të përfundon tregu. Këtë të diele e kemi praktikuar këtë gjë dhe po besoj se do të vazhdojmë edhe në të ardhmen sepse kemi pranuar shpeshherë ankesa nga qytetarët. Pra, secili shitës e ka për obligim të futet brenda rrethojave të tregut në mënyrë edhe mbetjet e tyre të grumbullohen aty në një vend të caktuar, por ata vazhdimisht po synojnë që shitjen e produkteve ta bëjnë përgjatë rrugës magjistrale. Pra gjithçka do të rregullohet së shpejti”, është zotuar Hyseni.