Arbëri

Komuna e Podujevës i ka mbi 2 milionë euro borxhe ndaj mësimdhënësve

Borxh i madh i është akumuluar ndër vite Komunës së Podujevës për pagesën e shujtës, udhëtimin e pagat jubilare për mësimdhënës. Këta të fundit kanë nisur edhe padi individuale ndaj Komunës. Borxhi ka arritur në mbi 2 milionë euro.

Kryetari i Sindikatës së Arsimit në Podujevës, Fadil Halimi, ka thënë se përveç pagave përcjellëse që Komuna kishte filluar pagesën e tyre prej janarit të vitit 2020, pjesa tjetër e Kontratës Kolektive ka çaluar së zbatuari.

“Ky borxh i Komunës ndaj mësimdhënësve që përfshin shujtën, udhëtimin dhe pagat jubilare është mbi 2 milionë euro. Na i kemi njoftuar organet komunale për borxhin që është trashëguar prej vitesh, por ata janë arsyetuar se nuk kanë mjete. Ne nuk kemi ndërmarrë ndonjë hap radikal se këto benefite iu takojnë mësimdhënësve dhe ata secili me avokat i kanë dërguar lëndët në gjykatë dhe te përmbaruesit për të realizuar këto të drejta”, ka theksuar Fadil Halimi.

Sipas tij, një numër i vogël i mësimdhënësve pagat jubilare i kanë realizuar edhe nëpërmjet inspektoratit të punës.

“Është një neglizhencë edhe te gjykata te trajtimi i këtyre lëndëve. Është koha e fundit të gjykatat të tregohen më azhure dhe t’i trajtojnë këto lëndë që kanë të bëjnë me zbatimin e Kontratës Kolektive. Komuna është mirë me i gjet mjetet dhe të shpëtojë nga dënimet, sepse komuna duhet të paguajë edhe taksa, shërbimet gjyqësore, kamatat, etj., në rast se pret që këto çështje të zgjidhen nëpërmjet gjykatave”, ka thënë kryetari i Sindikatës së Arsimit në Podujevë. “Janë diku 1400 mësimdhënës në Komunën e Podujevës që i kërkojnë shujtat, ndërsa të tjerë që i kërkojnë edhe udhëtimet dhe pagat jubilare e që lëndët janë në gjykatë”.

Çështjen e zbatimit të Kontratës Kolektive e ka ngritur në seancën e fundit të Kuvendit Komunal edhe këshilltari i PDK-së, Pajtim Hodolli.

“Mësimdhënësit po pyesin pse nuk po iu jepet shujta dhe pagesa e udhëtimit që e ka premtuar kryetari i Komunës. Mësimdhënësit po angazhojnë avokat për këtë me 10 për qind, me 15 për qind e duke paguar edhe nga 21 euro shtesë vetëm që të arrijë diçka që është e rregulluar me ligj. Dua të di nga kryetari se deri ku ka shkuar kjo punë dhe a janë mundësitë qoftë me rishikim të buxhetit që t’u realizohet mësimdhënësve kjo e drejtë”, ka thënë ndër të tjera Hodolli.

Por, drejtori për Arsim, Avni Fetahu, ka thënë se shumë mësimdhënës kanë mashtruar kur i kanë kërkuar mjetet e udhëtimit, megjithëse japin mësim në shkollat e qytetit ku edhe banojnë.

“Ne nuk iu kemi thënë mos aplikoni për Kontratë Kolektive se ajo dihet botërisht. Por me ardhë prej një shkolle të qytetit siç është ‘Shaban Shala’ me ish-drejtorin e kaluar dhe me marrë të njëjtën kompani edhe me ua qitë të gjithëve nga 482 euro që i kanë harxhuar për udhëtim e shumica prej tyre - 80 për qind - banojnë në Podujevë. Atyre hiç nuk është dashtë me iu thanë mos iu lësho vërtetim, por është dashtë me ua çu lëndën në Prokurori dhe me u marrë Prokuroria me ta për mashtrim”, ka thënë gjatë seancës së Kuvendit Komunal, Fetahu.

Për të njëjtën çështje ka folur edhe kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi. Ai ka thënë se është i interesuar t’i shlyejë këto borxhe nëse gjendet ndonjë formë.

“Janë më se 2 milionë euro borxhe në arsim, borxhe për shujta, paga jubilare dhe ato që u takojnë me Kontratë Kolektive. Ne nuk i kemi krijuar këto borxhe, se i kemi veç gjashtë muaj qeverisje, por ato i kemi gjetur. Nëse ky Kuvend sheh ndonjë linjë buxhetore për t’i ndarë për ato borxhe, ne si subjekt politik qëndrojmë prapa asaj dhe unë do të isha prej më të kënaqurve nëse ua paguajmë këto borxhe”, ka theksuar Shpejtim Bulliqi. “Me i këqyr mirë, ato padi nuk janë të gjitha meritore. Se shumë prej mësimdhënësve që jetojnë në Podujevë e kanë futur në ato padi të njëjtën biletë me të njëjtin numër fiskal dhe ajo nuk është këtu në Podujevë, por në relacionin Prishtinë-Podujevë, që është vepër penale. Tash vjen projektbuxheti për vitin 2022, ulemi bisedojmë dhe shikojmë mundësitë për të gjetur një linje buxhetore që t’ua paguajmë këto borxhe”.

Se është kërkuar pagesa e udhëtimit edhe për mësimdhënës që banojnë dhe punojnë në qytet e pranon edhe kryetari i Sindikatës së Arsimit, Fadil Halimi. Por, ai për këtë nuk i ka fajësuar mësimdhënësit, por avokatët që i kanë përgatitur paditë.

“Po i kam këto informata dhe mendoj që është një ‘non sens’ nga ana e avokatëve që nuk e kanë lexuar Kontratën Kolektive ku thuhet se mësimdhënësi duhet të udhëtojë 4 kilometra e më shumë dhe vlen vetëm brenda territorit të Komunës së Podujevës dhe jo për komunat tjera, për t’u takuar mjetet e udhëtimit. Por i kanë bërë paditë sikur që i takon secilit mësimdhënës ashtu edhe për udhëtime, e këto janë të ndara, sepse jo të gjithëve u takojnë mjetet e udhëtimit, pasi nuk udhëtojnë të gjithë. Unë mendoj se problemi është tek avokatët dhe jo te mësimdhënësit, sepse një pjesë e tyre nuk i kanë ditur procedurat”, është shprehur Halimi.