Arbëri

Mbi 400 ankesa të qytetarëve të Pejës për emërtimin e rrugëve

Procesi i emërtimit dhe riemërtimit të rrugëve në Komunën e Pejës, i nisur para shtatë vjetësh, ende nuk ka përfunduar. Shkak janë ankesat dhe propozimet e vazhdueshme të qytetarëve, të cilët kundërshtojnë emërtimet e mëhershme të disa rrugëve në shumë vendbanime që thonë se janë bërë pa u konsultuar me ta.

Komuna e Pejës assesi s’po arrin që ta përmbyllë procesin e emërtimit të rrugëve në pjesët urbane dhe rurale, të nisur shtatë vjet më parë.

Një listë me një mijë rrugë të emërtuara ishte miratuar më 2017-tën nga Kuvendi Komunal. Por, pasi nisi vendosja e tabelave, nisën edhe ankesat e qytetarëve.

Që atëherë janë paraqitur mbi 400 ankesa, në mesin e tyre edhe të dhjetëra banorëve të bashkësisë lokale “7 Shtatori”, në të cilën dy rrugë ende kanë emra të paraluftës.

Kryetari i kësaj bashkësie lokale, Kadri Mavraj, tregon se ankesat nuk janë vetëm për ato dy rrugë, por edhe për disa rrugë të tjera që janë emërtuar nga komisioni i kaluar pa dijeninë e banorëve.

“Përmbi 15 kërkesa i kemi bërë për ndryshimin e emërtimit të rrugëve. Mirëpo, në tetorin e vitit 2019, Komisioni e ka mbajtur takimin. Sa i përket anës sonë, na kanë thënë se është e kryer kjo punë”, ka thënë Mavraj.

Sipas tij, me probleme të ngjashme po përballen banorët në gjitha bashkësitë lokale, shumë prej të cilëve, në mosdijeni se kujt t’i drejtohen, trokasin në dyer të Drejtorisë për Shërbime Publike.

Udhëheqësja e kësaj Drejtorie, Xhevahire Çeku-Kelmendi, tregon se ankesat janë të shumta e të natyrave të ndryshme.

“Del që komisioni i mëhershëm nuk është marrë fare me këtë natyre. Por vetëm kanë vendos në baza individuale e jo me dëgjime publike dhe nuk e ka marrë një vendim apo një mendim të përgjithshëm të asaj lagjeje apo të asaj rruge”, ka treguar ajo.

Të gjithë që janë paraqitur në këtë Drejtori, ajo i ka drejtuar t’i paraqesin ankesat në Komisionin për emërtimin e rrugëve, në të cilin pohojnë se kanë përfunduar punën.

Kryetari i këtij komisioni, Atdhe Berisha, tha se janë shqyrtuar mbi 400 ankesa dhe shumicën prej tyre i kanë aprovuar.

“Problemi që na u ka shfaqë tani, janë më shumë të natyrës teknike.

Momentalisht propozimet kanë mbetur shkaku i disa kodeve të cilat duhet t’i ketë secila rrugë që është propozuar të emërtohet dhe momentalisht jemi në pritje të atyre kodeve nga Agjencia Kadastrale”, është shprehur Berisha.

Berisha pohoi se gjatë tremujorit të ardhshëm do të përfundojë i gjithë procesi dhe lista me rrugët e emërtuara do t’i dërgohet Kuvendit Komunal për miratim.