Arbëri

Komuna e Pejës ndihmon KEDS-in me 1.1 milion euro për sanimin e rrjetit elektrik

Vendimi i ekzekutivit të Komunës për të ndihmuar KEDS-in në dy vjetët e ardhshëm me 1.1 milion euro për sanimin e rrjetit elektrik në disa lokalitete të kësaj komune, përfshirë edhe rrjetin në Trevën e Rugovës, ka hasur në reagim të ashpër të opozitës. Zyrtarët thonë se është bashkëfinancim

Kuvendi Komunal i Pejës ka miratuar të premten bartjen në këtë vit të rreth 900 mijë eurove mjete nga viti i kaluar në disa kode buxhetore për kategoritë për mallra e shpenzime komunale, subvencione, transfere dhe investime kapitale. Në kodin për investime kapitale në Drejtorinë e Financave për participim në projekte me donatorë dhe ministri, nga shuma e përgjithshme janë bartur 650 mijë euro, prej të cilave 400 mijë euro janë paraparë të ndihmohet KEDS-i për sanimin e rrjetit elektrik në disa lokalitete në këtë komunë. Konkretisht, ekzekutivi komunal i Pejës ka vendosur që në dy vjetët e ardhshëm me 1.1 milion euro të ndihmojë KEDS-in në sanimin e rrjetit, veçanërisht në Trevën e Rugovës, në të cilën rrejti elektrik është vjetërsuar i tëri e dëmtuar pa u sanuar, për çka çdo dimër me muaj mbetet pa rrymë.

“Komuna ka nënshkruar ndërkohë një marrëveshje me KEDS-in për bashkëfinancim. Shumica e kërkesave në dëgjimet buxhetore kanë qenë të orientuara kah sanimi i rrjetit elektrik edhe problemeve të tjera. Komuna ka shprehur vullnetin me participu”, ka treguar drejtori i Financave, Jeton Abazaj, para këshilltarëve të Kuvendit, arsyen pse po destinohen në atë kod buxhetor këto 400 mijë euro.

Drejtori Abazaj pohoi para këshilltarëve se mjetet nuk do të shkojnë në KEDS, por është financim i përbashkët.

Mirëpo, arsyetimi i drejtorit të Financave, para se të miratohej bartja e mjeteve nga këshilltarët e subjekteve në pozitë LDK dhe PDK, që përbëjnë shumicën në Kuvend, ka shkaktuar reagim të dy subjekteve opozitare, AAK-së dhe LVV-së.

Nazmi Krasniqi, këshilltar i AAK-së, tha se i ka të ditura shqetësimet e qytetarëve për rrjetin elektrik, por sipas tij është e paarsyeshme dhe e panevojshme që Komuna të investojë në një ndërmarrje private, e cila ka për obligim vetë ta mirëmbajë rrjetin.

“KEDS-i me kontratë e ka për obligim ligjor të mirëmbajë dhe të investojë në rrjetin elektrik. Komuna do të duhej të bënte presion te KEDS-i të sanojë atë që e ka për obligim. E jo qytetari me taksa dy herë për të njëjtën punë të paguajmë. Edhe të paguajmë rrymën edhe prej buxhetit të bartur t’i japim mjete KEDS-it 400 mijë euro. Jam kundër që këto mjete të barten te KEDS-i. Dihet kush ka për obligim mirëmbajtjen e rrjetit”, është shprehur goxha i mllefosur Krasniqi.

Gjithashtu, edhe kolegu nga i njëjti subjekt, Blerim Nikqi, ka kundërshtuar të ndihmohet KEDS-i për sanimin e rrjetit elektrik në këtë komunë. “Ne rrymën po e paguajmë. Nëse dikush nuk e paguan, përmbaruesi po ia kryen punën KEDS-it. Nuk e di, nëse ka pasur mundësi që këto mjete të shpërndahen drejtpërdrejt disi në formë tjetër te qytetarët, e jo të ndihmohet ajo ndërmarrje”, u shpreh Nikqi.

Të njëjtit mendim ishte edhe këshilltarja e LVV-së, Mevlyde Idrizi, e cila tregoi se si këshilltare ka qenë pjesë e dëgjimeve buxhetore dhe i di kërkesat e qytetarëve për problemet me rrymë shkaku i rrjetit të vjetërsuar dhe të dëmtuar, por ajo nuk e sheh të arsyeshme që Komuna të ndajë mjete për këtë qëllim. “Sinqerisht, ne të gjithë e paguajmë rrymën, se mos me pagua menjëherë ta shkyçin, po i bie që ne dy herë të paguajmë për të njëjtën gjë”, u shpreh ajo në drejtim të kryetarit të Komunës.

Marrëveshjen e Komunës me KEDS-in e mbrojti shefi i Grupit të këshilltarëve të LDK-së në Kuvend, Naser Gega.

“Se sa janë kapacitetet e KEDS-it, sa janë obligativ ata për t’i kryer këto punë, të cilat ne i kërkojmë ma me ngut, ata me siguri i kryejnë, por jo me ngut dhe jo me dinamikën e paraparë, por pa i josh, por pa marrë pjesë, si bashkëpjesëmarrës në realizmin e disa projekteve kyçe, të cilat janë për komunën tonë, atëherë nuk e besoj se do të realizoheshin me dinamikë, me një shpejtësi çfarë është e nevojshme”, tha Gega.

Pas reagimeve të opozitës, kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxhiri shprehu para kuvendit edhe arsyet e tij pse ka hyrë në këtë marrëveshje me KEDS-in dhe me pare të arkës komunale të bashkëfinancojë sanimin e rrjetit elektrik. “KEDS-i nuk ka interes me investua në Rugovë, thotë s’ka banorë, thotë i kam prioritetet tjera, e kam Gjilanin, e kam Podujevën, e kam Prishtinën, edhe e ka prioritet të prioriteteve Deçanin me investua. Për me mund me detyrua KEDS-in me investua, duhet me i thënë hajt se na po participojmë bashkërisht”, u shpreh Muhaxheri.

Muhaxheri tha se ankesa kryesore e atyre që zhvillojnë turizmin, sidomos në Trevën e Rugovës, është mungesa e rrymës dhe se Komunës sipas tij i duhet ta bëjë këtë bashkëfinancim në sanimin e rrjetit elektrik. “Është një marrëveshje që bëhet për interesa të komunës së Pejës, Është një investim më i madh që është bërë ndonjëherë në komunën e Pejës në rrjetin elektrik. Për me i kthye largpërçuesit në rrugë, që me pas edhe Bogët edhe vendet tjera turistike rrymë gjithë kohën. Se ankesa kryesore e atyre që zhvillojnë turizmin në Rugovë, është mungesa e rrymës”, u shpreh Muhaxheri me mburrje për marrëveshjen e bërë me KEDS-in, më të cilën sipas tij në dy vitet e ardhshme përveç 1.1 milion euro të Komunës, KEDS-i duhet të investojë pajisje në vlerë prej një milion euro. Me këto marrëveshje parashihet ndërtimi i 83 kilometra largpërçues, prej të cilave 20 kilometra largpërçues nëntokësor dhe pjesa tjetër e largpërçuesve parashihet të vendosen afër rrugëve kryesore për mirëmbajtje më të lehtë gjatë sezonit dimëror.