Arbëri

Kuvendi e obligon ekzekutivin ta lirojë pronën për ndërtimin e memorialit “Afrim Zhitia”

Projekti për ndërtimin e memorialit të heroit Afrim Zhitia ka mbetur i parealizuar që prej vitit 2014, për shkak se ekzekutivi komunal – që deri tash udhëhiqej nga LDK-ja – kishte refuzuar t’ia jepte lejen MMPH-së. Zyrtarët e ish-pushtetit ishin arsyetuar se po e prisnin vendimin e Gjykatës rreth kësaj prone, edhe pse Prokuroria i kishte hedhur poshtë pretendimet e banorëve uzurpues. PDK-ja ka kërkuar që kjo pronë të lirohet dhe t’i hapet rrugë realizimit të këtij projekti.

Podujevë, 29 prill - Këshilltarët komunalë të Podujevës e kanë obliguar ekzekutivin e kësaj komune që të lirojë pronën ku ishte paraparë ndërtimi i memorialit të heroit Afrim Zhitia në fshatin Lluga. Këtë kërkesë e ka paraqitur këshilltari nga radhët e PDK-së, Rafet Llapashtica, i cili ka kërkuar nga Komuna që të ndërmarrë masa për lirimin e kësaj prone.

Për shkak të uzurpimit të pronës nga disa banorë të fshatit, ndërtimi i këtij memoriali ishte ndërprerë në vitin 2014. Prej asaj kohe, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si financuese e projektit, ishte në pritje të një leje nga Komuna e Podujevës për t’i rifilluar punimet. Në vitin 2018, qeveria komunale e LDK-së ishte arsyetuar se po e priste vendimin e Gjykatës rreth kësaj prone, edhe pse Prokuroria i kishte hedhur poshtë pretendimet e banorëve aty. E këshilltari Llapashtica ka thënë se Kuvendi duhet të kërkojë nga Inspektorati lirimin e kësaj hapësire, në mënyrë që t’i hapet rrugë realizimit të këtij projekti.

“Desha ta ngrija një çështje që ka të bëjë me uzurpimin e pronës në fshatin Lluga, ku është obelisku i Afrm Zhitisë. Kërkoj nga Kuvendi që të marrë vendim për zhbllokimin dhe lirimin e hapësirës dhe fillimin e obeliskut të Afrim Zhitisë, që ka qenë premtim edhe i LVV-së. Kërkoj nga Inspektorati që ta kryejë punën sa i përket pronës aty”, ka thënë Rafet Llapashtica.

Ndërsa, këshilltari i LVV-së, Haki Rudari, ka thënë se më 2016 kanë qenë bashkë me ish-kryetarin e Komunës, Agim Veliun, me ish-drejtorët e LDK-së dhe me shefat e grupeve dhe se atëkohë janë dakorduar që kjo çështje të trajtohet pas vendimit të Gjykatës.

Edhe shefi i Grupit të këshilltarëve të LDK-së, Hasan Ajeti, ka thënë të mos jenë kundër ndërtimit të këtij memoriali, por se sipas tij kjo është çështje e ekzekutivit.

“Nëse lënda ka shkuar në gjykatë, duhet ta presim vendimin e gjykatës. Ne nuk mund t'ia imponojmë temat ekzekutivit”.

Por, këshilltari Llapashtica ka theksuar se e dinë qëndrimin e ish-kryetarit të Komunës edhe të ish-pushtetit në përgjithësi.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se aq sa ka njohuri ekziston një kontratë e vitit 2007 ku jepen në shfrytëzim për obelisk 0.04 ha. Por, më vonë ka thënë se kjo sipërfaqe është rritur në më shumë se 2904m2, për të cilën gjë ka thënë se për aq sa e di nuk ka marrë vendim Kuvendi.

“Është një aktvendim i datës 25.01.2016 që është tentuar të bëhet një kallëzim penal ndaj individëve, por që është hedhur si i pabazë. Unë mendoj se nuk kemi nevojë të ngutemi. Është e vërtetë që mund të mos e dimë çfarë ka ndodhur në këta 20 vjet. Askush nuk është kundër obeliskut. Është dhënë në shfrytëzim 0.04 ha, ndërsa projekti në fjalë parasheh një hapësirë tjetër. E lëmë në këtë seancë, pas kësaj seance ju pres në zyrë dhe diskutojmë. Pa dashur ta qes asnjë grup keq – dikush patriot, dikush tradhtar”, është shprehur Bulliqi.

Ndërkohë, Hasan Ajeti i LDK-së ka thënë se për shkak të keqkuptimeve do ta japin voton pro propozimit të Llapashticës.

E ky i fundit ka kërkuar nga kryesuesi që ta hedhë në votim propozimin e tij, i cili edhe është miratuar njëzëri.

Çështja e ndërprerjes së ndërtimit të këtij memoriali ishte tentuar të shtrohej për diskutim disa herë në Kuvendin Komunal të Podujevës. Por, pushteti i atëhershëm i LDK-së e kishte bllokuar një gjë të tillë. Në një mbledhje të Kuvendit Komunal, në shkurt të vitit 2014, këshilltarët komunalë të PDK-së kishin kërkuar që në rend dite të futej si pikë edhe çështja e shtimit të hapësirës në vendin ku është obelisku i heroit Afrim Zhitia. Por, (LDK) nuk ishte pajtuar assesi. Edhe vetë ish-kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, kishte kërkuar që me këtë çështje së pari të merrej ekzekutivi, pasi, siç kishte thënë ai, krahas kësaj kërkese e kanë edhe një kërkesë të banorëve të fshatit Llugë që të mos shtohet hapësira e obeliskut. Këshilltarët opozitarë insistonin se po bisedojnë për pronë komunale, e jo për private. Megjithatë, për këtë çështje të gjithë ishin pajtuar që të diskutohej në një seancë tjetër. Një përpjekje e tillë për të diskutuar për këtë ishte bërë edhe në gusht të të njëjtit vit dhe po ashtu në shtator të vitit 2016. Por, herën e parë opozita nuk kishte arritur t’i marrë votat e mjaftueshme për ta futur në rend dite këtë pikë. Ndërsa, herën e dytë as që ishte hedhur në votim. Ish-kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, kishte kërkuar që pasi çështja e uzurpimit të pronës ku është paraparë të zgjerohet obelisku i Afrim Zhitisë është në gjykatë, të pritet një vendim i saj.

“Nuk është mirë të ngutemi të bëjmë një hair, e më vonë të dalë sherr. Për këtë çështje është një procedurë gjyqësore dhe për gjërat që janë në gjykatë nuk kemi nevojë të ngutemi. Ne e kemi konstatuar qysh është gjendja atje dhe është kompletuar lënda dhe kur të vijë një vendim i gjykatës atëherë kemi mundësi të veprojmë. Sot do të kisha kërkuar që të mos diskutohet, e nëse është nevoja munde të mbajmë edhe seancë urgjente”.

Por, zëdhënësi i Prokurorisë, Ekrem Lutfiu, në vitin 2019 i kishte thënë KOHËS se katër lëndë të tilla janë hedhur poshtë nga Prokuroria Themelore në vitin 2016.

“Ju informoj se ndaj të dyshuarve A. Zhitia, F. Zhitia, F. Zhitia, dhe B. Zhitia, më 25.01.2016, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka marrë aktvendim me të cilin e hedh kallëzimin penal të paraqitur nga H. Zhitia, i datës 23.10.2014, në drejtim të veprës penale ‘Vetëgjygjësia’ nga neni 418 të KPRK-së”, ka theksuar Lutfiu.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e kompanisë fituese të këtij projekti, “Ajani” SH.P.K. me seli në Prishtinë, kanë thënë në qershor të 2018-s se kontratën për ndërtimin e memorialit “Afrim Zhitia” në Llugë të Podujevës e kanë nënshkruar më 09.12.2013.

“Çmimi total i kësaj kontrate është 418,158.35 euro. Punimet i kemi filluar sipas kontratës më datën 12.12.2013. Punimet na janë ndërprerë më datën 28.02.2014 nga Inspektorati i Komunës së Podujevës. Arsyeja e ndërprerjes së punimeve ka qenë leja e ndërtimit nga organi kompetent”, thuhej në përgjigjen e kompanisë “Ajani” SH.P.K.