Arbëri

Komuna e Podujevës në pritje që MSH-ja të miratojë konkursin për higjienistë

Descriptive Text

Zyrtarët komunalë të Podujevës janë duke pritur nga Ministria e Shëndetësisë që të miratojë shpalljen e konkursit për higjienistë në institucionet shëndetësore. Disa Ambulanca në këtë komuna kanë kohë që kanë mbetur pa higjienistë dhe në mungesë të tyre, infermieret janë të detyruara të kujdesen edhe për higjienën. Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, ka thënë se këtë gjendje e kanë gjetur kur kanë ardhur në pushtet në fundvitin e kaluar dhe se tash po mundohen që të gjejnë zgjidhje.

“Kemi mungesë higjienistësh, por po mbulohemi disi. Kemi procesuar kërkesën për 5 higjienistë të rinj dhe po presim miratimin nga ana e Ministrisë për të shpallur konkursin.

Disa prej higjenistëve në QKMF janë transferuar në Qendrën Anti-Covid për shkak të nevojave të shtuara për to në këtë Qendër. Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare është e mbuluar si dhe QMF-të, por jo AMF-të sa duhet dhe sa është nevoja”, ka thënë Fatri Zhitia.

Ai e pranon se aty ku nuk ka higjienistë kujdesen infermierët e atij shërbimi dhe kohë pas kohe thotë se dërgohen higjienistët e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare.

“Që infermierja të kujdeset për higjienë nuk është në rregull, por jemi në situatë të pandemisë dhe jemi në proces të rekrutimit të stafit të ri dhe procedurat po vonohen. Po ashtu disa higjienistë që i kemi pasë me kontratë mbi vepër nuk i kemi më për shkak se tash me ligjin e ri kontratat mbi vepër janë ndaluar përkundër që kanë nevojë qendrat e shërbimeve shëndetësore. Këtë situatë e kemi gjetur kështu dhe po tentojmë të gjejmë rrugëzgjidhje ligjore të dalim nga kjo situatë”, ka theksuar zëdhënësi i Komunës së Podujevës.

KOHA ka raportuar edhe vitin e kaluar për mungesën e higjienistëve në institucionet shëndetësore të Komunës së Podujevës. Atëkohë, kryesindikalisti shëndetësor, Sheqir Maliqi, ka thënë se deri para pak kohës, punonjësit në këto institucione janë kujdesur edhe për drutë e ngrohjen.

“Në komunën tonë diku 60 për qind e punkteve shëndetësore, AMF, QMF janë pa higjienistë. Edhe kjo është duke zgjatë me vite, jo 1 vit e 2 vjet, po 5-6 vite. Ne çdoherë kemi bërë ankesa, kërkesa, po këta po arsyetohen se nuk po i lejojnë me rrit numrin e punëtorëve. Kur dalin në pension higjienistë ose shoferë e merr mjek ose motër, nuk zëvendësohen ata që dalin. Ka dalë një higjiensitë e kanë marrë një motër ose një mjek, që me plotësua atë numrin prej 246 punëtorëve”, pati thënë Sheqir Maliqi vitin e kaluar kur në pushtet ende ishte Lidhja Demokratike e Kosovës. “Me ligj, çdo AMF duhet me pas mjekun, 2 motra, higjienistin. Është e përcaktuar, mos gabofsha në 2 mijë banorë një mjek, motra, mamia edhe higjienisti. Pse te na nuk janë? Nuk e di pse. Edhe nuk japin përgjigje askush. Fol sa të duash, kërko sa të duash, masa nuk ka. Rezultati po mungon. Këto çështje qe 10 vite i ngriti, po asnjëherë në asnjë moment nuk ka pasur efekt”.