Arbëri

Kurti-Maliqi: Presim që javën tjetër vaksinat të mbërrijnë edhe në Ferizaj

Descriptive Text

Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Ferizajt, Abetare Kurti-Maliqi ka thënë në Interaktiv të KTV-së se kjo komunë pret që në javën e ardhshme të pranojë vaksinat e para kundër COVID-19.

Kurti-Maliqi ka thënë se Ferizaj ka nisur përgatitjen e stafit për vaksinën dhe sapo ato të arrijnë, do të fillojnë të kryejnë vaksinimin në bazë të planit kombëtar.

“Ne si qytet kemi filluar përgatitjen e stafit për vaksinën dhe presim që javën tjetër të vijnë në Ferizaj edhe vaksinat dhe t’i përmbahemi planit kombëtar të vaksinimit. Si komunë, kemi bërë përgatitjet në bazë të rekomandimit të Ministrisë së Shëndetësisë, ata kanë trajnuar edhe stafin shëndetësor në Ferizaj dhe në momentin e parë që do të vijnë vaksinat, ne jemi të gatshëm të fillojmë vaksinimin, edhe për stafin mjekësor publik edhe stafin privat”, është shprehur Kurti-Maliqi.

Ajo ka folur edhe rreth rritjes së rasteve me COVID-19 ditëve të fundit në qytetin e Ferizajt, ku vetëm gjatë ditës së enjte kanë rezultuar pozitivë 120 persona.

“Sot kanë rezultuar pozitivë 120 persona i cili në përgjithësi ka rritur rastet e personave aktiv në 709 raste aktive me COVID. Është një situatë jo e këndshme, jo e lehtë për t'u menaxhuar dhe përballuar, por me stafin e spitalit dhe të shëndetësisë primare jemi duke u munduar të bëjmë të pamundur për t'u ndihmuar qytetarëve tanë”, ka thënë drejtoresha e Shëndetësisë në Ferizaj.

Lidhur me furnizimin me barna, Kurti-Maliqaj ka thënë koronavirusi e ka një kosto jo aq të përballueshme për qytetarët dhe se jo çdo herë gjenden barnat që kërkohen për këtë virus.

Ndërkaq, ajo ka folur edhe për problemin me rastin e dhënies së specializimit të mjekëve për Ferizaj.

“E kemi një numër joadekuat të mjekëve për numrin e banorëve dhe disa herë kërkesat tona për rritjen e stafit mjekësor kanë hasur në vesh të shurdhër, por edhe ata që i kemi pasur janë zvogëluar dhe ne kemi mbetur këto ditë shumë keq në pamundësi për t’i mbuluar të gjitha rastet në terren apo në ambulancat familjare por besoj që shumë shpejt do të kemi zgjidhje rreth këtij rasti pasi kemi hapur një konkurs për pranimin e mjekëve të rinj”, është shprehur Kurti-Maliqi.