Arbëri

Tahiri akuzon VV-në se po pengon punësimin e grave në Stanoc

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po mundohet të pengojë punësimin e mbi 60 grave të fshatit Stanoc të Epërm.

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media, Tahiri ka thënë se asamblisti Imer Haradinaj ka nisur një peticion për të vazhduar me projektin.

“Arsyeja e kësaj konference të jashtëzakonshme ka të bëjë me adresimin e pengimit të punësimit të mbi 60 grave në Stanoc të Epërm nga përfaqësues politikë të VV-së të organizuar nga asamblisti Imer Haradinaj. Për njoftim të të gjithë banorëve dhe qytetarëve të Vushtrrisë dhe Kosovës, objekti i vjetër i shkollës ‘Migjeni’ në bazë të vlerësimit të komisionit dhe kërkesës së investitorit është dhënë në shfrytëzim afatshkurtër njëvjeçar, me mundësi vazhdimi, me qëllim punësimin e 60 grave. Sipas projektit të investitorit, në këtë objekt do të punësohen mbi 60 gra në një fabrikë rrobaqepësie dhe i gjithë prodhimi i kësaj fabrike është i destinuar për eksport jashtë Kosovës. Punësimi do të bëhet për gratë e Stanocit. Paga mesatare në këtë punëtori do të jetë nga 300 deri 500 euro sipas propozimit të investitorit të sjellë në komunë. Në këtë moment, konkursi për punësim është hapur”, ka thënë Tahiri.

Ai e ka quajtur lajm të mirë ardhjen e investitorëve në kohë krize ekonomike.

“Megjithatë, ky asamblist në Kuvend të Komunës, kryetar i fshatit, i ka organizuar militantët e vet dhe po e pengojnë punësimin e grave dhe sigurimin e të ardhurave për familjet e tyre. Në Komunën e Vushtrrisë kemi një peticion nga ky asamblist kundër hapjes së vendeve të punës dhe një tjetër që po nënshkruhet nga qytetarët e Stanocit që e mbështesin hapjen e kësaj fabrike dhe të vendeve të punës”, ka vazhduar ai.

Sipas tij, ka dyshime se peticioni i nisur nga Haradinaj është i falsifikuar nga vetë ai. Ka shpalosur disa dokumente në të cilat thotë se vërehen mospërputhje të numrave personalë me emrat e qytetarëve.

Ai në fund ka paralajmëruar se të enjten në Kuvendin Komunal do të diskutojnë për çështjen e njëjtë me të gjithë asamblistët.