Arbëri

Kastrati i pavendosur nëse do të rikandidojë për kryetar të Kamenicës

Foto: Koha

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ende s’ka vendosur nëse do të kandidojë për një mandat të dytë.

Siç ka thënë ai në emisionin SOT në KTV, s’ka pasur kohën e mjaftueshme për të vendosur për një gjë të tillë.

“Kam thënë që do të vendos në intervistën e radhës, por duke pas parasysh angazhimet dhe punën edhe për pandeminë dhe për vërshimet, s’kam pas kohën e mjaftueshme të konsultohem e të vendos për një gjë të tillë. Në zgjedhjet lokale, ne që kemi ende përvojë, ka kohë ende për të parë cilat janë proceset, mendësia dhe a kanë nevojë qytetarët për një udhëheqje të tillë edhe për katër vjet, sepse unë e paraqes vetëm ofertën. Jam munduar të krijoj një standard si duhet të jetë kryetari. Jam i kënaqur deri diku dhe është te qytetarët të vendosin se si duan të qeveriset komuna e tyre në katër vitet e ardhshme”, ka thënë Kastrati.

Në mandatin e parë, Kastrati u përfol më së shumti për çështjen e reformave në arsim. Ai vendosi për mbylljen e disa shkollave ku kishte pak nxënës për t’i bashkuar me disa të tjera. Kjo nxiti reagime të ashpra te qytetarët e madje edhe protesta.