Arbëri

Burgu i Sigurisë së Lartë pa rrugë alternative

Gërdofc/Podujevë, 28 shkurt – Burgu i Sigurisë së Lartë, që gjendet në fshatin Gërdofc të Podujevës, vazhdon të mos ketë një rrugë alternative për të transferuar të burgosurit.

Alternativë e vetme për të është rruga që e shfrytëzojnë banorët e fshatrave: Bellopojë, Gërdofc, Dyz, etj., e cila është përplot gropa dhe kalon midis shtëpive të rrethuara me mure në të dyja anët, shkruan sot “Koha Ditore”.

Edhe pse synon të ketë siguri të lartë ky burg, kjo nuk vlen edhe për rrugën, e cila nuk i plotëson këto standarde. Aty e vuajnë dënimin vetëm personat që janë të dënuar me më shumë se 15 vjet, ose kur këtë e vendos gjykata ose Shërbimi Korrektues i Kosovës. Burgjet e sigurisë së lartë nëpër botë janë të ndërtuara larg vendbanimeve. Në disa raste ato ndërtohen edhe nëpër ishuj, ku mundësia e arratisjes ose sulmit nga jashtë të jetë minimale. Por, kështu nuk është edhe në Gërdofc të Podujevës.

Zyrtarët e Komunës së Podujevës nuk kanë treguar nëse kanë marrë ndonjë hap për këtë rrugë, edhe pse përgjigje u është kërkuar nga 16 shkurti. Para tre vjetësh, më 3 shkurt 2014, udhëheqës të Burgut të Sigurisë së Lartë në fshatin Gërdofc të Podujevës kishin kërkuar nga zyrtarët komunalë që të bënin definimin e një prone ku planifikohej ndërtimi i një rruge të re. Këtë rrugë, sipas tyre, do të mund ta shfrytëzonin edhe banorët e fshatrave Gërdofc e Dyz.

Kapaciteti i këtij burgu është për 390 persona. Ai është përuruar më 18 dhjetor 2013, ndërsa “mysafirët” e parë i ka pritur në vitin 2014... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.