Arbëri

Konkursi për specializantë lë fshatrat pa mjekë

Konkurset e Ministrisë së Shëndetësisë për specializantë të rinj po i përballin komunat e Kosovës me mungesë të stafit. Rreth 50 mjekë të përgjithshëm, që kanë qenë duke punuar në ambulanca në Komunën e Suharekës, kanë lëshuar punën për të vazhduar specializimin në qendra të mëdha. Asociacioni i Komunave të Kosovës thotë se ky shqetësim është ngritur muaj më parë në takim me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj

Ani pse banorët e Semetishtës e kanë ambulancën në fshatin e tyre, kontrollet te mjeku duhet t’i bëjnë në qytetin e Suharekës. Kjo, pasi mjeku i vetëm që ishte në këtë fshat ka fituar specializimin me konkursin e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Konkurset e Ministrisë së Shëndetësisë për specializantë të rinj po u shkaktojnë probleme të shumta komunave në Kosovë, pasi që shumë mjekë kanë lënë vendet e punës.

Rreth 50 mjekë të cilët ishin duke punuar në qendrat e mjekësisë familjare në Komunën e Suharekës janë larguar.

Sipas drejtoreshës së QKMF-së në Suharekë, Salë Bytyçi, kjo po shkakton probleme të shumta, pasi edhe fluksi i qytetarëve kohën e fundit është shtuar.

“Jemi në pritje të profesionistëve të tjerë shëndetësorë që do të na vijnë. Mirëpo vështirësitë janë aty, hasen në pjesët rurale më së shumti për shkak se është larguar një numër i madh i profesionistëve që kanë qenë duke punuar aty në atë pjesë” është shprehur ajo.

Bytyçi tregon se disa herë i janë drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë për këtë çështje, por nuk kanë marrë përgjigje pozitive, duke thënë se janë duke u përballur edhe me mungesë stafi shkaku i prekjes me COVID-19.

Në lidhje me këtë problem, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, tregon se u është drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Financave, por ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje. Ai thotë se duke pasur parasysh edhe situatën e krijuar me pandeminë, është koha që qytetarëve t’u ofrohet zgjidhje.

“Ka ardhur koha e fundit që qytetarëve t’u ofrojmë shërbime më të mira, ne jemi për shërbime më të mira për qytetarët, po sikur mos ta kishim pasur edhe blerjen e shërbimeve prej ‘Caritas Kosova’ do t’i kishim pasur problemet shumë më të mëdha, ne mundemi me u kthye në gjendjen që kemi qenë më herët, sepse është e lehtë, por nuk dëshirojmë” është shprehur Muharremaj.

Mungesa e stafit shëndetësor, pas hapjes së konkurseve për specializantë nga Ministria e Shëndetësisë, sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës, është ngritur si shqetësim edhe në mbledhjen e Këshillit të Kryetarëve të mbajtur me ministrin në detyrë Armend Zemaj.

Shtyrjen e konkursit për specializantë të rinj e kishte kërkuar edhe kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, pas përballjes me mungesë stafi.

Zyrtarë të Komunës së Kamenicë kanë thënë se janë duke vazhduar të kenë probleme të tilla me mungesë stafi, dhe se kjo po u shkakton telashe të shumta.

Ministria e Shëndetësisë nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËS në lidhje me këtë çështje.

Kjo ministri vitin e kaluar hapi disa herë konkurse për më shumë se 1000 specializime. Përmes një konference për media, ministri në detyrë i Shëndetësisë, në korrik të 2020-s, kishte njoftuar për hapjen e konkursit për 1034 vende, që sipas tij nuk ka ndodhur asnjëherë.

Zemaj kishte thënë se ky proces është bllokuar para katër vjetësh.

“Si prioritet i Qeverisë e Ministrisë arritëm ta zhbllokojmë këtë proces për 3 javë. Për shkak të bllokimit të këtij programi, kërkesat kanë qenë të mëdha, por çdo vit do të ketë konkurse”, pati thënë ai.