Arbëri

Prizreni realizon teste rapide për COVID-19 në qendër të qytetit

Descriptive Text

Ekipet mobile të kujdesit parësor shëndetësor në Prizren, të enjten, kanë realizuar rreth 370 teste të shpejta për COVID-19, me ç’rast 14 persona kanë rezultuar pozitiv. Sipas autoriteteve lokale ky aktivitet është ndërmarrë me qëllim të identifikimit të personave të infektuar dhe izolimit sa më të shpejtë të tyre, në mënyrë që të parandalohet përhapja e virusit.

Pensionisti Enver Thaçi nga Prizreni ka vlerësuar mundësinë e testimit falas në sheshin “Shadërvan”, për qytetarët, shkaku i gjendjes së tyre ekonomike.

“As ilaçe s’mundemi me ble dhe është mirë që e kanë ofruar këtë mundësi. Duhet kontrollë, jo vetëm për veten, por me i ruajt edhe familjarët”, ka thënë Thaçi.

Megjithëkëtë ai ka shprehur vërejtje lidhur me respektimin e masave anti-Covid, veçanërisht në fundjavë, ku qendra e qytetit sipas tij i ngjason panairit.

Krahas tij ka pasur edhe qytetarë tjerë që janë testuar për herë të parë për COVID-19.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka theksuar se këto testime realizohen falas dhe pa udhëzime të mjekut.

“Qytetarët mund ta shfrytëzojnë këtë rast dhe të shikojnë gjendjen e tyre. Sa më shumë teste që realizohen, do të kemi izolim më të mirë të të infektuarve dhe në njëfarë aspekti do të kemi parandalim më të mirë”, është shprehur Haskuka, duke shtuar se KPSh-ja mundëson testet për COVID-19 në lokalitete të ndryshme në qytet dhe në fshatra.

“Zakonisht bëhen nga 200 teste në ditë, ku rezultojnë 18-19 raste pozitive dhe shohim se testimi masiv po ndikon pozitivisht në uljen e numrit të rasteve”, ka deklaruar Haskuka.

Drejtoresha e Shëndetësisë, Narqize Arënliu-Hoxhaj ka theksuar se testimi masiv po bëhet për identifikimin e të infektuarve dhe izolimin e tyre, me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit. Sipas saj ky aktivitet do të vazhdojë edhe të premten. Ajo ka përkujtuar se pos testeve falas, KPSH-ja ofron edhe pakon e analizave për COVID-19 për të lehtësuar barrën financiare për qytetarët.

Drejtori i QKMF-së në Prizren, Xhevat Elezkurtaj ka bërë të ditur se të enjten janë testuar mbi 370 qytetarë, ku 14 sosh kanë rezultuar pozitivë.

“Numri i rasteve pozitive nuk është shumë i madh”, ka thënë ai, duke shtuar se testimi masiv ndikon në parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Sipas autoriteteve komunale, krahas QKMF-së dhe QMF-së në Bajram Curr, për shkak të rritjes së numrit të të prekurve nga koronavirusi, nga java e shkuar ka filluar realizimi i testeve edhe në QMF-të e fshatrave Gjonaj, Reçanë, Korishë, Zhur si dhe në lagjet “Kurillë” dhe “Tusus”, gjë që sipas tyre ka mundësuar edhe eliminimin e lëvizjeve të qytetarëve të prekur nga COVID-19.