Arbëri

Komuna e Deçanit planifikon të bëhet me strategji të zhvillimit të turizmit

Komuna e Deçanit deri tash nuk ka pas asnjë strategji të zhvillimit të turizmit, pavarësisht projekteve dhe promovimit të turizmit dhe këtë strategji në komunë besojnë se do ta kryejnë sivjet. Nisja tash e hartimit të kësaj strategjie, shoqëria civile e konsideron pak të vonuar dhe është treguese se Komuna nuk ju ka qas me seriozitet hartimit të dokumenteve që do të orientonin ka zhvillimi i turizmit

Ka vite që Komuna e Deçanit promovon turizmin dhe zhvillimin e tij, por deri më tash kjo komunë nuk ka pasur një strategji të qartë të zhvillimit të turizmit, që bashkë me bujqësinë konsiderohen dy shtylla kryesore të zhvillimit ekonomik të kësaj komune.

Komuna ka realizuar projekte për zhvillimin dhe promovim të turizmit dhe ndërtimin e nevojshëm infrastrukturor në zonat malore dhe rurale. Mirëpo tek tash institucionet komunale kanë nisur hapat e parë për hartimin e një strategjie lokale për zhvillimin e turizmit në këtë komunë. Drejtoresha për Ekonomi dhe Zhvillim, Fitore Hulaj i tha KOHËS se, fillimisht do të formohen grupet punues për nisjen e këtij procesi.

“Faktikisht kemi nevojë për një për zhvillimin e turizmit dhe zhvillim ekonomik, që ta kemi një ide të qartë të zhvillimit, sepse deri tash nuk e kemi pas një strategji të tillë. Strategjia bëhet për tërë territorin e komunës së Deçanit, e brenda strategjisë do të caktohen zonat e zhvillimit në bashkëpunim me grupet dhe komunitetin. Një herë do të mblidhen grupet që do të punojmë në këtë strategji pastaj me i caktua zonat ekonomike në cilat drejtime do të punohet”, tha Hulaj.

Buxhet për hartimin e kësaj strategjie ende nuk ka të ndarë nga komuna, por ajo beson se së shpejti do të vihen në dispozicion mjetet e nevojshme dhe ndërkohë, siç tha ajo presin edhe miratimin e Planit të ri Zhvillimor Komunal (PZHK), në të cilin do të përfshihet kjo strategji.

Ky plan ende është në proces të hartimit. Ramë Melaj, drejtorit për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinorë në këtë komunë, tregoi se draftin e parë të PZHK-së e kanë kryer, e kanë hartuar raportin e vlerësimit strategjik në mjedis. Këtë raport, siç tha ai e kanë dërguar tashmë në Ministri të Ambientit, nga e cila presim ndonjë koment për këtë raport dhe ato komente do ti përfshijnë në draftin final, i cilin pastaj siç shtoi Melaj, do të shkojë prapë për vlerësim në ministri. “Me të marrë pëlqimin nga ministria do të nisim edhe diskutimin publik për këtë plan. Edhe strategjia e zhvillimit të turizmit do të përfshihet në planin zhvillimor. Këtë plan mendojmë që deri në qershor ta miratojmë në Kuvend, nëse nuk do të ketë ngecje në procedurat e hartimit apo edhe zvarritje në kthimin e përgjigjeve nga ministria”, tha Melaj. Nisjen tash të hartimit të strategjisë për zhvillimin e turizmit, shoqëria civile e konsideron të vonuar, për shkak se siç pohon përfaqësues i shoqërisë civile dhe njëherit edhe ekspert i fushës së turizmit, Adem Lushaj, Komuna e Deçanit nuk ka pas prioritet të plotë turizmin deri tash. “Komuna nuk ju ka qas me seriozitet hartimit të dokumenteve që do të orientonin ka zhvillimi i turizmit. Deri tash ka pas vetëm fjalë nga komuna. Parakusht është edhe infrastruktura, e cila është duke u ndërtuar, pastaj duhet me qenë dokumentet mbi të cilat ndërtohet strategjia dhe orientimi ka të investohet në zhvillimin e turizmit. E deri tash janë bërë disa projekte vetëm ‘Ad-Hoc’. Sepse nuk kanë pas një strategji në të cilin do të orientoheshin investimet në zhvillimin e turizmit, qoftë masiv apo alternativ”, thotë Lushaj. Ai shpreson që Komuna do t’i qaset seriozisht hartimit të këtij dokumenti më rëndësi dhe zbatimin e tij pastaj, sepse ai druan se kjo strategji mund mbetet siç thotë ai sikur disa strategji tjera që i ka miratuar komuna e nuk kanë gjetur implementim. “E kaluara na jep me qenë pak më të rezervuar edhe pse ne si shoqëri civile e përshëndesim dhe do ta përkrahim çdo strategji që hartohet si dhe do të japim kontributin tonë për hartimin e këtyre dokumenteve dhe realizimin e tyre, që qojnë drejtë zhvillimit të turizmit në komunën tonë”, thotë Lushaj.

© KOHA Ditore