Arbëri

Kodi etik për zyrtarët publikë mbetet në fuqi edhe me ekzekutivin e ri në Podujevë

Ekzekutivi i ri komunal në Podujevë nuk e ka në plan ta ndryshojë kodin etik për punonjësit e komunës i cili është miratuar në shtatorin e vitit të kaluar. Edhe pse atëkohë Vetëvendosje e kishte konsideruar si kundërkushtetues, tash thonë se ai do të mbetet në fuqi dhe duhet të zbatohet nga të gjithë.

Bajram Ajeti që është shef i kabinetit të kryetarit të Komunës, Shpejtim Bulliqit, thotë se tash kanë kohë që ta analizojnë zbatimin praktik të tij dhe nëse ka nevojë që të ndryshohet a plotësohet.

Megjithatë, Ajeti thotë se tash për tash plotësim- ndryshimi nuk është në plan.

“Në shtator është miratuar në Asamblenë Komunale, pastaj më 1 tetor është bërë i plotfuqishëm dhe ajo që më interesoi, u është shpërndarë të gjithë punonjësve edhe një pjesë e madhe e kanë nënshkruar edhe deklaratën, se janë të obliguar që e pranojnë kodin, po si duket jo në tërësi. Tash u është dërguar edhe stafit të ri që është në ekzekutiv. Dhe të gjithë janë të njoftuar me kodin etik”, ka thënë Ajeti.

Në muajin shtator të vitit të kaluar, Ajeti i kishte thënë KOHË-s se meqë është kod etik për zyrtarët publikë, i cili përfshin edhe nëpunësit civilë po edhe ata që janë me status politikë, por që janë të angazhuar në administratë publike, atëherë duhet të bazohet gjithsesi në Ligjin 06/L-114. Mirëpo, sipas tij, pas publikimit në gazetën zyrtare të këtij Ligji, kishin pasuar disa ankesa në institucionin e Avokatit të Popullit dhe në bazë të kësaj Avokati e kishte bërë kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar kushtetutshmërinë e tij.

“Kështu që të dyja ligjet (Ligji për paga dhe Ligji për zyrtarët publikë v.j.) realisht nga Gjykata Kushtetuese me vendimin 219 dhe 114 për zyrtarët publikë iu kthyen Kuvendit për t’i plotësuar-ndryshuar. Pra meqë, kodi etik është nxjerr duke u bazuar në Ligjin 114 atëherë ne në aspektin procedural, jo kundër kodit të mirësjelljes, por në aspektin procedural është dashtë të pritet derisa Parlamenti i Kosovës të bëjë plotësimet sipas obligimeve që ka me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, kishte thënë Ajeti, atëkohë këshilltar komunal i VV-së.

Ajeti edhe tash thotë se e kanë konsideruar si të ngutshëm këtë kod, pasi sipas tij, ai duhet të harmonizohej me Kushtetutën.

“Megjithatë, ne do ta shohim zbatimin praktik dhe tash kemi kohë më shumë për ta analizuar mos ka nevojë diku të preket. Edhe plotësim-ndryshimi bëhet me procedura të njëjta dhe të shkojë pranë Asamblesë. Por, njëherë për njëherë nuk besoj se do të jetë në plan plotësim- ndryshimi i tij. Parimet e rregullat nuk janë në kundërshtim me kod të mirësjelljes, kështu që njëherë për njëherë nuk kemi kohë, sepse kemi tjera akte normative për të nxjerr të cilat janë më të rëndësishme”, ka theksuar shefi i kabinetit të kryetarit të Komunës së Podujevës.

Bajram Ajeti thotë se duhet respektuar kodi etik, hierarkia e përgjegjësi e secilit punëtorë të komunës.

“Çdokush që do të bie në kundërshtim me kodin dhe Rregulloren mbi disiplinën, atëherë normalisht do të merren procedura disiplinore dhe në pajtim me shkeljet do të shqiptohen edhe masat. Kemi pasur raste deri më tash, po jo shumë të rënda. Secili që do të bie ndesh me kodin etik ai do të jap përgjegjësi disiplinore në bazë të procedura dhe ligjit”, ka thënë ai.

Kodi etik për zyrtarët e Komunës së Podujevës rregullon veshjen dhe paraqitjen e zyrtarëve, marrëdhëniet me publikun dhe kolegët e punës, pastaj flet për respektimin e vullnetit zgjedhor të qytetarëve, për paanshmërinë e pavarësinë, parimin e ligjshmërisë në punë, integritetin, mosdiskriminimin, transparencën, efikasitetin, konfliktin e interesit, nepotizmin, parandalimin e korrupsionit dhe sjelljet joetike, etj.

Ky kod është përgatitur në bazë të një modeli që MAPL ua ka dërguar komunave në muajin shkurt 2020, 5 muaj para se Gjykata Kushtetuese të rrëzojë Ligjin nr. 06/K-114 për zyrtarët publikë në të cilin bazohet ky kod.