Arbëri

Komunat e menaxhuan mirë pandeminë, por mungoi komunikimi me nivelin qendror

Prishtinë, 10 janar (KosovaPress) - Pas shëndetësisë e institucioneve të sigurisë, niveli lokal konsiderohet si hallka e tretë më e rëndësishme për menaxhimin e pandemisë COVID-19. Komunat e Kosovës po vlerësohet se kanë menaxhuar mirë më pandeminë, por që theksohet se në disa raste ka pasur mungesë të komunikimit mes nivelit lokal e atij qendror kur janë ndërmarrë masa anti-COVID.

Ndërrimi i dy qeverive dhe ndërrimi i shpeshtë i masave, po shihen si problemet kryesore më të cilat janë përballur kryetarët e komunave të Kosovës gjatë menaxhimit të pandemisë.

Me të marr masat e para niveli qendror, komunat e Kosovës kanë aktivizuar shtabet emergjente lokale për menaxhim të COVID-19, përmes të cilave shtabe kanë ndërmarrë veprime për të ndihmuar qytetarët dhe bizneset në komunat e tyre.

Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se qysh nga marsi kur edhe janë regjistruar dy rastet e para me COVID-19, kryetarët e komunave kanë qenë në vijën e parë të fronit sa i përket luftës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

“Që nga fillimi i pandemisë, kryetarët e komunave kanë qenë në front të parë sa i përket luftës për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19. Në fillim normal që kanë qenë disa sfida, po me kalimin e kohës edhe ato sfida janë tejkaluar dhe mund të konstatojmë që komunat e kanë menaxhuar në mënyrën më të mirë COVID-19”, thotë ai.

Ai thekson se ka pasur bashkëpunim të mirë me nivelin qendror dhe se janë konsultuar para marrjes së çdo vendimi për shtrëngimin apo lirimin e masave anti-COVID.

Mirëpo, kryetarët e komunave të Kosovës, tregojnë përvojat e tyre në menaxhimin e pandemisë dhe bashkëpunimin që kanë pasur me nivelin qendror.

Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, thotë se në fillim kanë pasur vështirësi pasi që nuk kanë qenë të përgatitur për një gjendje të tillë, por që më kalimin e ditëve ai thotë se kanë ndërmarrë të gjitha masat për menaxhimin sa më të mirë të pandemisë.

I pari i Prizrenit thotë se ndërrimi i shpeshtë i vendimeve rreth masave anti-COVID u ka shkaktuar probleme pasi që edhe ai si kryetar i komunës nuk ka qenë mirë i njoftuar me ato masa.

“Një problem që është shkaktuar sidomos pas qershorit, pas korrikut, ka qenë që kemi pasur shumë ndërrime të vendimeve. Vendimet janë ndërruar brenda javës, çdo dy ditë kemi pasur vendime të tjera, jo manuali për mbrojtje, jo ajo, jo kjo, kjo ka paraqitur problem sepse edhe unë si kryetar nuk kam qenë i njoftuar mirë se si duhet të veprojmë por në përgjithësi me Policinë e Kosovës dhe inspektorati i komunës dhe inspektorati shëndetësor i shëndetësisë, kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë”, thotë Haskuka.

Se kanë pasur vështirësi në implementimin e masave të ndërmarra nga ana e Qeverisë së Kosovës e thotë edhe kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, i cili thotë se megjithatë kanë arritur të zbatojnë të gjitha masat anti-COVID.

Ai thekson se vështirësitë në menaxhimin e pandemisë kanë qenë serioze, ku përmend se janë ballafaquar me mungesë të furnizimit shpesh herë edhe për oksigjen.

“Kanë qenë të vështira sepse fillimisht pandemia në qeverinë Kurti është përballur me qëndrime të dyfishta apo qëndrime të ndryshme mes presidencës dhe qeverisë, mes gjendjes emergjencave civile dhe gjendjes së jashtëzakonshme, po ne e kemi zbatuar detyrën ligjore tonë. Më vonë në qeverinë Hoti është ndërtuar manuali, është ndërtuar rregulla të qarta dhe ne kemi vepruar në përputhje me ata manual, e kemi përkthyer në nevoja të komunës tonë dhe reagimi ynë ka qenë ditor. Komiteti emergjencave që udhëhiqet nga unë, përfshin institucionet komunale dhe shtetërore që ballafaqohen sipas detyrës ligjore me pandemitë dhe me situatat emergjente dhe ne kemi arritur me koordinua qendrën regjionale të shëndetit publik, spitalin e përgjithshëm që është regjional, policinë e shtetit, emergjencat civile, kryqi i kuq, komuniteti fetar dhe shoqëria civile në mënyrë që me u bashku të gjithë institucionet dhe gjithë faktorët në parandalimin e përhapjes. Vështirësitë kanë qenë serioze, jemi ballafaquar me furnizime në mungesë shpesh herë deri tek oksigjeni që ka qenë i domosdoshëm për pacientë në spital, rritja e kartelës sociale”, thotë Haziri.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, thotë se që nga fillimi i pandemisë kanë pasur një bashkëpunim korrekt me Qeverinë e vendit dhe me Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa respektimin e masave të vendosura nga niveli qendror ua atribuon qytetarëve.

“Respektimi i masave duhet t’iu atribuohet fillimisht qytetarëve, nuk kemi pasur nevojë për me ndërhy në mënyra jo të zakonshme, një ose dy herë gjatë gjithë kësaj kohe Janë ndërruar dy qeveri gjatë këtij viti, kemi pasur komunikim që prej fillimit, ne komunikojmë edhe përmes Asociacionit të Komunave me të gjithë kryetarët e tjerë të komunave, kemi mënyrat tona të komunikimit permanent”, thotë Gjini.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, thotë se kufizimet e ndërmarra nga ana e qeverisë së vendit janë pritur nga qytetarët me kundërshtime, por që thekson se ka pasur respektim të tyre.

“Si gjitha komunat tjera, ka pas kundërshtime, ka pas edhe respektim të masave e ndonjëherë edhe mosrespektim të masave por tani edhe shumica e qytetarëve janë vetëdijesuar se janë masa të jashtëzakonshme dhe një situatë e jashtëzakonshme në të cilën bota nuk ka qenë kurrë”, thotë Muhaxheri.

Bekim Salihu nga Instituti GAP, thotë se komunat kanë pasur rol kryesor në menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia. Ai thotë se niveli lokal është marr konkretisht me implementimin e masave të ndërmarra nga ana e nivelit qendror.

Sipas tij, niveli lokal është hallka e tretë më e rëndësishmja në menaxhimin e situatës me koronavirus, e lidhur me këtë ai thotë se niveli lokal ka menaxhuar mirë me pandeminë COVID-19.

“Instituti GAP ka bërë edhe një vlerësim nëpërmjet një raporti analize përkatëse dhe të dhënat flasin që pushteti lokal ka pasur një menaxhim të mirë të situatës së krijuar nga pandemia. Bashkangjitur kësaj faktin që pandemia nuk ka qenë diçka e menduar, diçka e planifikuar dhe rrjedhimisht edhe mos përgatitja institucionale në këtë drejtim ka mundur të arsyetohet deri në një masë, për shkak që nuk ka qenë diçka e menduar dhe e planifikuar më parë. Atëherë do të thotë rezultatet flasin që ka pasur një menaxhim të mirë nga ana e nivelit lokal karshi situatës së krijuar”, thotë Salihu.

Salihu thotë se një defekt që ka karakterizuar raportin mes nivelit qendror dhe atij lokal është se shpesh herë qeveria ka ndërmarrë masa pa i konsultuar kryetarët e Komunave.

“Ajo çka ka munguar në fakt është ndoshta nuk ka pasur shumë inkorporim të komunave në vendimmarrjen e përbashkët mes nivelit nacional dhe do të duhej nivelit lokal që të dakordoheshin masat në drejtim të zbatimit të tyre”, thotë ai.