Arbëri

Vërshohet edhe Stacioni i Policisë në Lipjan

Descriptive Text

Si pasojë e të reshurave të shiut gjatë ditës janë shkaktuar vërshime edhe në disa lokacione në territorin e komunës së Lipjanit. Ndërkohë me vërshime janë përballur edhe zyrtarët e Policisë së Kosovës në Lipjan derisa bodrumi i këtij institucioni është vërshuar nga ujërat atmosferikë dhe nga ujërat e zeza.

Si pasojë e kësaj gjendje Inspektorati i Komunës ka intervenuar me urgjencë dhe ua ka ndërprerë përkohësisht punimet një kompanie ndërtimore afër stacionit të Policisë i cili ujërat atmosferikë të punishtes i kishte derdhur në rrjetin e kanalizimit pranë objektit të Stacionit të Policisë.

“Shtypja e madhe e ujërave të cilat i ka derdhur një kompani ndërtimore në rrjetin e kanalizimit, ka shkaktuar vërshime në bodrumin e objektit të Stacionit të Policisë. Inspektorati ka marrë të gjitha veprimet e duhura dhe ka obliguar kompaninë ndërtimore me urgjencë ta ndërprenë derdhjen e ujërave atmosferik në rrjetin e kanalizimit”, ka thënë për KOHËN Imer Rrustemi, drejtor i Inspektoratit në komunën e Lipjanit.

Sipas tij, në Stacionin e Policisë nuk është shkaktuar ndonjë dëm nga kjo gjendje. Rrustemi ka shtuar se gjatë ditës vërshime ka pasur edhe në fshatin Resinovc derisa ujërat e zeza kanë depërtuar mbi sipërfaqen e tokës.

Zyrtarët në Stacionin e Policisë në Lipjan kanë thënë se ekipet e kompanisë së ujësjellësit “Prishtina” në Lipjan, kanë intervenuar dhe po e pastrojnë bodrumin e objektit të Policisë.