Arbëri

Bahtiri kërkon heqjen e orës policore në të gjitha komunat

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se ora policore, e vënë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, duhet të hiqet si masë.

Sipas tij, kjo masë po sjell stres e ngarkesë psikike tek të gjithë. Madje ai ka thënë se ora policore nuk uli numrin e rasteve me virus.

“Qeveria ilegale që me mandat të vjedhur uzurpoi objektin e Qeverisë dhe mbajti peng në mënyrë të paligjshme ekzekutivin e vendit, jo vetëm që udhëhoqi në mënyrë katastrofale me vendin, por edhe tentoi që përmes përpjekjeve të ulëta t'i vendos përpara aktit të kryer qeverisjet komunale. Qytetarët e Mitrovicës dhe mërgimtarët tanë të dashur, janë lodhur nga ky keqmenaxhim i pandemisë. Orët policore tashmë janë bërë të bezdisshme, ato kanë mbjellë farën e depresionit, stresit dhe ngarkesës psikike tek të gjithë ne. Ora policore asnjëherë nuk i uli rastet e prekura me virus, sepse në fakt kjo masë ishte vetëm sa për sy e faqe, në mungesë të një vizion të duhur për menaxhimin e pandemisë”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

Nga kjo e premte, komuna që Bahtiri udhëheq ka kaluar në zonën e verdhë të komunave, sipas kategorizimit të komunave në bazë të numrit të të infektuarve për një javë për 100 mijë banorë. Aty tashmë për një javë s’ka ndalim qarkullimi për qytetarët, por kjo, sipas Bahtirit, duhet të vlejë për gjithë Kosovën.

“Nuk mjafton që sot është hequr ora policore në Mitrovicë, por ajo duhet të largohet si masë në të gjitha qytetet e Kosovës. Ky është vullnet i qytetarëve, i njerëzve të biznesit dhe mbi të gjitha i bashkatdhetarëve tanë të mrekullueshëm”, ka vazhduar ai.

Deri tash në nivel vendi janë regjistruar 51502 raste pozitive me COVID-19, ndërsa 1336 persona kanë vdekur. Janë 8314 raste aktive.