Arbëri

Bizneset në Lipjan kundërshtojnë rrënimin e tarracave për qëllime politike

Inspektorati i Komunës së Lipjanit nën asistimin e Policisë së Kosovës mëngjesin e së martës u është drejtuar bizneseve për rrënimin e tarracave, të cilat gjatë muajve të fundit ishin ndërtuar pa leje.

Fokus të veçantë i është kushtuar rrënimit të një biznesi, në të cilin një bashkatdhetar nga Zvicra kishte investuar qindra e mijëra euro.

Pronarët e këtij biznesi Lulzim Shaqiri, ka thënë se tri herë ka bërë kërkesë për shfrytëzim të hapësirës publike, por nuk i është dhënë pëlqimi.

“Kjo është duke u bërë për shkaqe politike, janë disa njerëz në komunë që janë duke bërë shumë dallavere të mëdha edhe ne shpirt e trup i kemi lënë për to duke u munduar të bëjmë dicka. Shihe 50 lokale krejtë janë në të zezë asnjë nuk ka kurrfarë vendimi e lokali i vëllait tem mbyllet këtu dhe rrënohet qe ku është komuna e Lipjanit”, ka thënë Lulzim Shaqiri, pronar i biznesit.

Aksionin e ka kundërshtuar edhe PDK-ja në Lipjan.

“Edhe pse qytetarë është një bashkatdhetar i joni që ka ardhur në komunën tonë për të investuar dhe për të hapur biznes dhe për të hapur vende pune, ekzekutivi i komunës së Lipjanit edhe pas kërkesave të tij për procedura për dhënie të lejes sot demolon objektet, me ëka ne dyshojmë se këtu po bëhen diskriminime politike në bazë të ngjyrimeve politike”, ka deklaruar Hyzer Rizani, kryetar i PDK-së në Lipjan.

Por, drejtori i Inspektoratit në Komunën e Lipjanit, Imer Rrustemi, ka thënë se aksioni është organizuar për tarracat që janë ndërtuar pa leje gjatë kohës së fundit, ndërkohë do të rrënohen edhe tarracat e tjera varësisht nga vendimet e institucioneve.

“Tani shumicën prej tyre jem duke i pritur vendimet nga ana e gjykatës dhe prokurorisë se çfarë vendimi do të marrin të formës së prerë, përndryshe për çdo vendim që merret nga ana e Gjykatës ne do ta zbatojmë në tërësi. Nuk do të jemi tolerant ndaj askujt dhe ligjin do ta zbatojmë në mënyrë të barabartë për të gjithë”, është shprehur Imer Rrustemi, drejtor i Inspektoratit në Komunën e Lipjanit.

Imeri ka shtuar se Inspektorati është vetëm për ta zbatuar ligjin dhe ata nuk veprojnë asnjëherë për shkaqe politike.