Arbëri

Këshilli i Shalës reagon ndaj deklaratës së kryetarit Ahmeti rreth asfaltimit të rrugëve

Këshilli i fshatit Shalë të Lipjanit nëpërmjet një njoftimi ka reaguar ndaj deklaratës së kryetarit të Komunës, Imri Ahmeti, i cili në mbledhjen e fundit të Kuvendit ka thënë se këshilli i këtij fshati e ka bërë përzgjedhjen e rrugicave për asfaltim.

Kjo ishte arsyeja e kryetarit Ahmeti derisa kuvendarët e kanë akuzuar për diskriminim gjatë asfaltimit të rrugicave me arsyetime se janë asfaltuar rrugë private dhe duke anashkaluar ato publike që janë në kadastër.

Rreth akuzave në mbledhjen e fundit të KK-së ka njoftuar Koha të hënën. Në reagimin e Këshillit të fshatit midis të tjerash thuhet se kanë vërejtur nëpër rrjete sociale derisa po qarkullon një video në të cilin kryetari Ahmeti deklaron se gjatë asfaltimit të rrugicave në fshatin Shalë ka pasur disa lëshime dhe se për asfaltimin e këtyre rrugicave organet komunale janë konsultuar edhe me kryesinë e fshatit.

“Këshilli Shalës, ndien obligim moral që të sqarohet para qytetarëve të Shalës, se deklarimi i Kryetarit të Komunës nuk qëndron, nuk është i vërtetë, sepse, këshilli i fshatit nuk është konsultuar fare nga Komuna në rastin e asfaltimit të rrugicave. Kryetari i Komunës ndoshta është konsultuar me ndonjë kryesi partie, por me këshillin e fshatit JO. Dhe këtë duhet ta dinë qytetarët. Reagimi ynë bëhet me qëllim të informimit të qytetarëve dhe nuk do të dëshironim që sqarimi i kësaj çështje të shndërrohet në debate të panevojshme”, thuhet midis të tjerash në njoftimin e Këshillit të Shalës.

Ndërkaq, kujtojmë se në mbledhjen e fundit të KK-së, rreth asfaltimit të rrugëve ka reaguar kuvendari nga radhët e Nisma Socialdemokrate Manush Shamolli, i cili ka kritikuar se po asfaltohen rrugët private dhe po anashkalohen ato që janë në kadastër. Ndërkaq, kryetari Ahmeti, pati thënë se nuk ka vendosur se cilat rrugë të shtrohen në Shalë, por aty ka pasur një kryesi të fshatit të cilët i kanë sjellë ata emra të rrugëve.

Ndërkohë Koha gjatë ditëve të fundit ka pranuar edhe shqetësime dhe fotografi derisa njëri nga drejtorët e këtij ekzekutivi në Shalë ka asfaltuar rrugën që çon te dera e oborrit të shtëpisë së tij.