Arbëri

Banorët e quajnë të dështuar projektin e impiantit në Orllan

Banorët e fshatit Orllan të Podujevës po e konsiderojnë të dështuar projektin e ndërtimit të kolektorit dhe impiantit biologjik për trajtimin e ujërave të zeza. Sipas tyre, ky projekt që parashihte eliminimin e ujërave të zeza në Liqenin e Batllavës nuk ka përfshirë pjesën më të madhe të shtëpive dhe disa institucioneve publike aty. Rrjedhimisht, ata thonë se ujërat e zeza do të vazhdojnë të derdhen në liqe edhe pas përfundimit të këtij projekti. Në anën tjetër, implementuesi i këtij projekti Organizata CDI, arsyetohet se ligjet në fuqi nuk e lejojnë ndërtimin në zonën e parë mbrojtëse të burimeve ujore dhe për këtë arsye, nuk kanë ku të fusin gypin e kolektorit brigjeve të liqenit

Orllan/Podujevë, 13 dhjetor – I dështuar po konsiderohet projekti i ndërtimit të kolektorit dhe impiantit biologjik për trajtimin e ujërave të zeza në fshatin Orllan të Podujevës. Ky projekt që financohet nga Qeveria Zvicerane dhe implementohet nga Organizata CDI, kishte për qëllim eliminimin e ujërave të zeza që derdhen në Liqenin e Batllavës. Por, përveç vonesave që e kanë përcjellë që nga viti 2017 kur kishte filluar së realizuari, ndërtimi i kolektorit nuk e ka përfshirë pjesën më të madhe të fshatit Orllan. Rrjedhimisht, ujërat e zeza do të vazhdojnë të derdhen në liqe edhe pas përfundimit të tij. Përfaqësuesi i këtij fshati, Nuhi Selimi, thotë se e kishin pritur me gëzim ndërtimin e kolektorit dhe impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në Orllan. Por, tash këtë projekt e quan të dështuar, pasi përveç shumë shtëpive, në kolektor nuk është përfshirë as shkolla ku vetë ai është mësimdhënës.

“Efekt s’do të ketë. Efekt ka vetëm për ata që kanë marrë mjetet, firma që ka punuar. Do të thotë është kryer një punë, sa mjete nuk e di kurrkush, unë për vete nuk e di, se nuk jemi konsultuar ne asnjëherë si vendas këtu, as si pushtet lokal. Mirëpo, ajo çka është më e keqja, uji i liqenit është i pambrojtur me këtë projekt. Është i pambrojtur, sepse një shkollë që gravitojnë diku afër 400-500 nxënës edhe të fillores edhe të mesmes, është i painkuadruar në këtë projekt arsyen nuk e dimë”, ka thënë Nuhi Selimi. “Rrugë e poshtë në anën e djathtë të rrugës Podujevë-Orllan-Bërvenik që shkon, asnjë objekt nuk është futur në këtë kanal. Mirëpo as tjerat lagje që janë në anën tjetër, nuk janë futur, me përjashtim të ‘Adriatikut’ (restorantit v.j.) e deri këtu në qendër të Orllanit, këtu disa banesa e shtëpi afër janë futur në atë projekt. Diku 80 për qind nuk janë përfshirë në këtë projekt të familjeve të Orllanit. Po them se është i dështuar edhe i paefektshëm”.

Edhe përfaqësuesi i organizatës “Sundimi i Demokracisë në Kosovës (SDK), Rexhep Zeka, i cili e ka monitoruar realizimin e këtij projekti e ka quajtur të dështuar.

“Projekti për impiantin e ujërave të zeza në Orllan është njëri ndër projektet më të rëndësishme që mendoj ndodh në këtë pjesë të Orllanit. Mirëpo, ka pasur huqje të tij qysh në fillim, duke përfshirë vetëm 45 për qind të shtëpive në fshatin Orllan dhe duke lënë jashtë projektit, të gjitha shtëpitë tjera që gjenden në Orllan, por edhe fshatrat përreth. Ne duke i parë këto problem, duke i parë këto mangësi që ka ky projekt, kemi biseduar edhe me Konsorciumin CDI, i cili na ka thënë që projekti deri në gjysmën e vitit 2019 do të përfundojë. Mirëpo, ne veç jemi në vitin 2020 edhe ky projekt ende nuk ka përfunduar”, ka theksuar Rexhep Zeka. “Në fillim kur i kemi pasur kontaktet e para me ta, kanë thënë që arsyeja e mospërfundimit në vitin 2019, ka qenë për shkak të pronës që i është ndryshuar destinacioni i vendit ku është vendosur të ndërtohet impianti. Më vonë kanë thënë që kanë mungesë të aparaturave që do të vendosen në impiant. Ndërsa tash së fundi thonë se kanë edhe probleme për vendin se ku do të vendoset gropa septike edhe për këtë arsye, ka edhe vonesa duke marrë parasysh edhe çështjen e COVID-it gjatë këtij viti”.

Përfaqësuesi i SDK-së ka thënë se ky projekt nuk ka qenë mirë i projektuar dhe mirë i mendar.

“Sepse vetëm 45 për qind e shtëpive që përfshihen, pra këtu ka lënë jashtë edhe shkollën që ka rreth 200 nxënës, po edhe shtëpi të tjera dhe objekte që janë të rëndësishme. Prandaj, mendoj se ky projekt veçse është i dështuar qysh në fillim dhe normal nuk do të mund të bëjë mbrojtjen e liqenit nga ujërat e zeza”, është shprehur ai.

Në anën tjetër, drejtori ekzekutiv i CDI-së, Astrit Vokshi, nëpërmjet përgjigjeve me shkrim, ka thënë se ky projekt ishte i ndarë në dy faza, në Lot 1 që parashihte ndërtimin e kolektorit kryesor dhe Lot 2 ndërtimin e impiantit. Mospërfshirjen e tërë fshatit në këtë projekt ai e arsyeton me udhëzimin administrativ UA 40/07 MMPH, që sipas tij, e ndalon ndërtimin në zonën e parë mbrojtëse të burimeve të ujit.

“Sa i përket fazës së parë – Ndërtimi i kolektorit kryesor - është kontraktuar më 2017 dhe krahu kryesor i tij deri tek ura është i përfunduar. Problemet për përfundimin e kolektorit sipas projektit kanë ndodhur, sepse është dashur të bëhen ndryshime, më saktësisht lagjet përfundi rrugës të mos përfshihen. Sipas legjislacionit në fuqi (udhëzimi administrativ UA 40/07 MMPH – ‘Kriteret për përcaktimin e Zonave të Mbrojtura Ujore dhe masat e tyre mbrojtëse për burimet e ujit që përdoren për pije’) nuk lejohen ndërtimet në zonën e parë mbrojtëse!”, është shprehur Astrit Vokshi.

Rrjedhimisht, sipas tij, për të gjitha këto objekte (policia, shkolla dhe shtëpitë në zonën e poshtme) nuk kanë mundur të ndërtojnë kolektorin siç e kishin projektuar.

“Përveç kësaj, projekti është përballur edhe me probleme të tjera si ato pronësore për ndërtimin e impiantit dhe të Stacionit ë Pompimit. Ne llogarisim që deri në pranverë kjo fazë të kompletohet (përfundimi i kolektorit, stacioni i pompimit dhe elektrika) dhe të lidhet me Impiantin tashmë të ndërtuar”.

Ndërsa, për fazën e dytë-Ndërtimi i Impiantit për Trajtimin e Ujërave të zeza, drejtori ekzekutiv i CDI-së thotë se kanë përfunduar rreth 95 për qind e punimeve.

“Kanë mbetur vetëm disa detaje pa u përfunduar si p.sh., rrafshimi i rrugëve hyrëse, shkallët dhe zhavorri, rrethoja etj. Edhe pajisjet që janë teknologji e avancuar gjermane janë instaluar në shtëpizë po ashtu. Edhe këtu kanë ndodhur disa vonesa për shkak se na është dashur të ndërrojmë lokacionin e propozuar. Kjo, për shkak të ankesave të disa personave që pretendonin se impianti është afër shtëpive të tyre. Si rrjedhojë është dashur të bëhet riprojektimi i impiantit dhe ri-përzgjedhja e lokacionit. Po ashtu ka qenë e pamundur edhe ardhja e ekspertëve gjermanë në kohë pandemie për instalimin e pajisjeve”, ka theksuar Vokshi.

Kur pyetet për efektet që do t’i ketë ky projekt, pasi edhe më tutje do të shkarkohen ujërat e zeza në liqe, ai thotë se qëllimi kryesor i këtij projekti është mbrojtja e liqenit të Batllavës.

“Ka lagje në zonat malore apo edhe në anën e kundërt të liqenit, por ato nuk është paraparë të kyçen në impiant në këtë fazë, për shkak të konfigurimit të terrenit përderisa pjesa e objekteve në zonën e parë u shpjegua më lart”, ka thënë Astrit Vokshi. “Ky projekt është sfidues edhe për ne për shkak se: Liqeni është ndërtuar si aset i Korporatës Energjetike dhe jo si resurs për ujë të pijes. Tashmë liqeni shfrytëzohet si resurs ujor dhe aplikohen ligjet për burimet ujore. Siç u shpjegua më lart ne do të kujdesemi që sa më shumë shkarkime ekzistuese që derdhen në liqen t’i grumbullojmë në afërsi të urës, por vetëm duke i respektuar ligjet në fuqi”.

Drejtori ekzekutiv i CDI-së thotë se trajtimi i ujërave në impiant do të bëhet sipas të gjitha standardeve evropiane dhe ujërat do të kthehen në liqe plotësisht të trajtuar.

“Impianti është i projektuar dhe ka kapacitet për trajtimin e ujërave të ndotura për rreth 1000 banorë. Projekti (dy fazat), me të gjitha vonesat parashihet të përfundohet më së voni deri në qershor 2021. I tërë projekti me të dy LOT-et ka kushtuar afërsisht 550.000 euro”, ka thënë ai.

{gallery}