Arbëri

Rreziku nga trafoja, familja Ejupi kërkon nga KEDS-i që ta zhvendosë atë

Ruzhdi Ejupi nga fshati Sekiraçë i Podujevës ndihet i rrezikuar nga trafoja që është e vendosur ngjitur me dyert e oborrit të tij.

Ndonëse ka kërkuar disa herë nga zyrtarët e KEDS-it që t’ia heqin nga prona e tij, deri tash kjo nuk ka ndodhur.

Ai i ka thënë KOHËS se trafoja ishte vendosur 2-3 vjet pas luftës nga KEK-u.

Atëkohë thotë se zyrtarët e KEK-ut kishin kërkuar nga ai që t’ia lejonin vendosjen e kësaj trafoje për një kohë të shkurtër, derisa të bëhej një projekt i ri i cili do të përfshinte futjen e kabllove në tokë dhe pastaj do të hiqej edhe trafoja.

Zyrtarët e KEDS-it kanë filluar vendosjen e rrjetit të ri në fshat dhe Ejupi ka kërkuar nga ta që ta zhvendosin këtë trafo.

Por KEDS-i ka kërkuar nga ai që vetë të gjejë vendin e tij për vendosjen e saj.

“Për dislokim të trafo-shtyllës së cekur më lart konsumatori duhet të sigurojë vendin e ri për dislokim, ky vend duhet të jetë afër rrugës dhe të ketë qasje 24 h për punëtorët e KEDS-it. Pas sigurimit të vendit nga parashtruesi i kërkesës ne mund ta përgatisim zgjidhjen teknike”, thuhet në përgjigjen e KEDS-it dhënë Ruzhdi Ejupit.

Ejupi thotë se gojarisht zyrtarët e KEDS-it i kanë thënë djalit të tij që duhet t’i paguajnë edhe shpenzimet e zhvendosjes.

KOHA ka kërkuar përgjigje nga KEDS-i për këtë rast, por zyrtarët e tij nuk kanë kthyer përgjigje.

Ejupi ka paralajmëruar padi ndaj KEDS-it nëse këta të fundit nuk e zgjidhin këtë çështje.