Arbëri

Bulliqi: Palestra sportive që do të duhej të ishte e përfunduar sot, nuk ka nisur fare

Kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës nga radhët e Vetëvendosjes, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se Komuna ka hyrë në borxhe ndaj koompanisë me të cilën ka nënshkruar kontratë për ndërtimin e palestrës sportive në ish-pronat e ndërmarrjes “Fapol”.

Në një konferencë për media, ai ka thënë se tre vjet pas nënshkrimit të kësaj kontrate, kjo palestër nuk ka nsiur fare.

“Sot jemi këtu pranë kësaj hapësire publike me rastin e trevjetorit të nënshkrimit të kontratës për ndërtimin e palestrës së sportit. Bashkë me aktivistët e Lëvizjes kemi ardhur sot për të luajtur një ndeshje basketbolli. Mirëpo, kur erdhëm këtu e pamë që palestra lëre që nuk është ndërtuar, por as që ka nisur ndërtimi i saj, përkundër që kjo ishte premtuar nga ish-kryetari Veliu në fushatën zgjedhore të vitit 2017, siç mund ta shihni edhe në banerin e prezantuar nga aktivistët tanë”, ka theksuar Shpejtim Bulliqi.

Sipas tij, në nisjen e fushatës për zgjedhjet lokale më 19 shtator 2017 Komuna e Podujevës e kishte publikuar njoftimin për kontratë të cilën e kishte nënshkruar më datën 20 nëntor 2017, vlera e parashikuar e të cilës ishte 2 milionë 565 mijë euro.

“Në njoftim për kontratë parashihej që ndërtimi të kryhej për 36 muaj, gjithsej 3 vite. Sot kur jemi këtu, sipas kontratës do të duhej që pikërisht tani të përfundohej ndërtimi dhe të prehej shiriti i kësaj palestre sportive. Mirëpo, siç po e shohim 36 muaj pas, ndërtimi i saj as që ka ndodhur. Ndërkohë që komuna vazhdon heshtjen e këtij skandali. Afati i kontratës ka skaduar, por palestra nuk është ndërtuar”, është shprehur deputeti i VV-së. “Prandaj, nga kjo mund t’ju them se Komuna jonë është në njëfarë forme në borxh ndaj kontraktorit i cili e ka fituar tenderin dhe e ka nënshkruar kontratën. Dhe ai kontraktor në çdo fazë e ka të drejtën që komunës tonë t’ia kërkojë mjetet, për faktin që Komuna jonë e ka shpallë tenderin, e ka njoftuar për kontratën, e ka dhënë kontratën dhe njëkohësisht nuk ka krijuar kushte që kompania në fjalë e cila e ka fituar këtë kontratë në vlerën mbi 1 milion e 800 mijë euro, t’i krijohen kushte për të filluar punimin e saj”.