Arbëri

Komuna e Vitisë ia kërkon AKP-së mbi 16 hektarë tokë

Komuna e Vitisë është duke ia kërkuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) mbi 16 hektarë tokë. Komuna nuk është pronar i parcelave në të cilat shtrihen stadiumi i qytetit, varrezat e dëshmorëve dhe tregu i gjelbër. Është Agjencia Kosovare e Privatizimit e cila menaxhon me këto prona. Pushteti komunal ka parashtruar kërkesë në Qeverinë e Kosovës dhe tek AKP-ja që këto prona t’i barten Komunës. Mirëpo qëndrimi i AKP-së është se për fatin e këtyre pronave vendos Qeveria e Kosovës. Në përgjigjen e dhënë KOHËS ata kanë konfirmuar se Komuna e Vitisë ka parashtruar kërkesë që pronat t’i barten asaj.

Në këto ngastra kadastrale ndodhen varrezat e dëshmorëve, stadiumi i qytetit, objekti i dy ndërmarrjeve publike, si dhe tregu i gjelbër i qytetit.

“Lidhur me këtë çështje, Autoriteti i Likuidimit me datë 12.12.2014 ka mbajtur takim me kryetarin Sokol Haliti, duke njoftuar për procedurat e parapara me Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës. Kryetari i Vitisë është njoftuar se këmbimi mund të ndodhë vetëm atëherë kur kërkesa përben një domosdoshmëri për interes publik, gjithashtu kërkesa duhet të përmbushë kriteret e parapara me ligjin në fuqi. Me rastin e kompletimit të dokumentacionit, kryetari i Vitisë është udhëzuar që kërkesën me dokumentacion të kompletuar ta dërgojë për shqyrtim tek autoriteti përkatës. Komuna e Vitisë më datë 03.02.2016 dhe 17.09.2018 e ka dërguar kërkesën në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Varësisht nga rekomandimi apo vendimi i autoriteteve vendimmarrëse, Autoriteti i Likuidimit do të veprojë”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Nënkryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet të diskutojë për fatin e pronave të cilat menaxhohen nga AKP-ja. Sipas tij, pronat duhet t’u kthehen komunave. “Kemi parashtruar kërkesë në Qeveri, mirëpo deri tash nuk ka diçka konkrete. Kemi prit që do të ketë zhvillime në kohën sa ka qenë kryeministër Ramush Haradinaj, mirëpo në këtë drejtim nuk ka pasur diçka. Mendoj se Qeveria e tanishme duhet me ngrit si temë dhe të diskutojë për problemet e komunave që kanë me pronat. Të gjendet një zgjidhje për ato prona të cilat po i kërkon Komuna. Mendoj se këtë problem e kanë edhe komunat e tjera dhe duhet të diskutohet”, ka thënë Aliu.

Pavarësisht se prona ku shtrihet stadiumi i qytetit në Viti nuk është e definuar, kjo nuk e ka penguar Ministrinë e Kulturës që të investojë në rregullimin e infrastrukturës. Drejtori për Kulturë Rini dhe Sport në Viti, Milot Lala, ka thënë se duhet që të rregullohet çështja pronësore e stadiumit. “Nuk kemi pasur probleme nga ana e AKP-së dhe nuk është kërkuar që të mos investohet shkaku i pronës. Ministria e Kulturës ka investuar. Në të ardhmen duhet të rregullohet çështja e pronës”, ka thënë Lala.

Ndërkaq drejtori për shërbime publike, Nexhmedin Jakupi, ka thënë se në rastin e tregut të gjelbër për shkak se Komuna nuk është titullar i pronës ata kanë hezituar që të investojnë në ndërtimin e tregut.