Arbëri

Podujeva pa drejtor të Shëndetësisë në kohë pandemie, opozita e konsideron papërgjegjësi

Pa drejtor në kohë pandemie ka mbetur Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Podujevës.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Podujevës, Nexhmi Rudari, javën që shkoi e ka shkarkuar drejtorin e këtij dikasteri, Zaim Thaçin për “performancë të dobët”.

Por, lënia e Shëndetësisë pa drejtor në kohën kur është rritur numri i rasteve të reja me COVID-19, po shihet si papërgjegjësi nga zyrtarët e Vetëvendosjes në Podujevë, raporton KOHA.

“Mirëpo, mendoj që ka shumë shkaqe pse ka ardhur deri këtu kjo gjendje, mund të jetë që janë acaruar interesat e padronit apo ishit që ka qenë këtu, mund të jetë e dyta që nuk janë marrë vesh, sepse të arsyetosh vendimin se gjoja në fushatë këta nuk po japin, ajo është kundërligjore”, ka thënë Bajram Ajeti, kryetar i Qendrës së Vetëvendosjes në Podujevë.

Por, këtë veprim e arsyeton komuna, duke thënë se tash punën sa i përket pandemisë e kryen shtabi emergjent të cilin e udhëheq Rudari.

“Ndërsa sa i përket Drejtorisë për Shëndetësi, kryetari është duke i zhvilluar konsultat e rregullta edhe me subjektin politik në mënyrë që shumë shpejt të vijë me një kandidat për drejtorin e ri. Ndërsa, deri në atë kohë të gjitha detyrat dhe kompetencat në Drejtorinë e Shëndetësisë është duke i kryer një ushtrues detyre është pra drejtori për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik në Komunën e Podujevës”, ka thënë Bujar Gimolli, zëdhënës i Komunës së Podujevës.

Ndërkohë, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë kanë thënë se që nga gjysma e tetorit, ka filluar rritja e nurmit të rasteve me COVID-19.

“Zakonisht ne në Podujevë deri në fillim të tetorit, mund të themi edhe shtatori ka qenë i qetë me një numër të vogël të rasteve, mirëpo në javën e dytë të tetorit ka ndryshua dhe u rrit numri i rasteve. Ka ndodhë që brenda dite kemi pasë 20 deri në 28 raste”, ka thënë Bedrie Rama, epidimiologe në QKMF-në e Podujevës.

Sipas epidemiologes Rama, aktualisht në Komunën e Podujevës janë rreth 200 raste aktive.