Arbëri

Fatura e fryrë

Çmime astronomike i janë faturuar Komunës së Podujevës për blerjen e disa pajisjeve mjekësore për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF). Në një kontratë të vitit 2017 që Komuna e kishte lidhur me kompaninë “Medica”, shihet që çmimet për këto pajisje janë shumë më të larta se ato të tregut. Dyshime për keqpërdorim të buxhetit për shëndetësi ka ngritur edhe kryetari i Sindikatës së punëtorëve shëndetësorë, Sheqir Maliqi, të cilit i ka rënë në dorë kjo kontratë. Ai ka thënë se çmimet e kësaj fature janë të fryra dhe nuk përkojnë me çmimet e tregut.

“P.sh. një sterelizator në bazë të kësaj fature është blerë 2250 euro, a në treg qysh i kam pyetur unë profesionistët që i kanë ordinanca private, ato maksimumi 500-600 euro kushtojnë. Kemi p.sh. enë veshkore 50 euro, gërshërë 30 euro, asnjë nuk kushton mbi 5 euro, më të mirat 15 euro, po që ato nuk vijnë te na asnjëherë. Kemi frigorifer, veç ia kanë shtua frigorifer për reagensa, është diku 70 cm, që në treg është 70-80 euro e Komuna dy frigoriferë i ka blerë nga 450 euro. Në bazë të informatave që unë posedoj, një otoman kushton 100 euro, a në faturë është 180 euro”, ka theksuar Sheqir Maliqi.

Kryesindikalisti shëndetësor ka thënë se ka edhe shumë artikuj të tjerë brenda kësaj fature që kanë shuma më të larta sesa ato në treg.

“Unë mendoj se ka nevojë për hetuesi këtu, dikush me u marrë me këto gjëra, me këtë keqpërdorim. Edhe befasohem, se kjo faturë është e viti 2017 që tani e kam siguruar unë, qysh Auditori i jashtëm e ka anashkaluar, qysh ka mujt me anashkalua kur dihen çmimet e tregut”, është shprehur Maliqi.

Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të QKMF-së në Podujevë thotë se bazuar në Kontratën kolektive sektoriale, konkretisht neni 25, paragrafi 3, punëdhënësi obligohet që të sigurojë pjesëmarrjen e përfaqësuesit sindikal në punë organizative e drejtuese të institucioneve shëndetësore, takime të mëngjesit, komisione që themelohen në nivel të institucioneve shëndetësore dhe Ministrisë, procesit për rekrutim të punëtorëve, procedurat e prokurimit publik dhe procedurat e tjera që kanë të bëjnë me të drejtat e të punësuarve nëpër institucionet shëndetësore në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

“Pavarësisht kësaj, na asnjëherë nuk kemi marrë ftesë prej Komune, gjegjësisht Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, as në takime për rekrutimin e punëtorëve të rinj, por as në Zyre të prokurimit. Unë i kisha dilemat pse? Tash jam bind pse neve na anashkalojnë ftesën në takime, si për rekrutim të punëtorëve, sikur në Zyre të prokurimit, me i ba dallaveret, me i kurdis tenderat, me i fry faturat. Edhe jam i bindur, besoj që buxheti i QKMF-së nga ana e Drejtorisë për Shëndetësi keqpërdoret me të madhe”, ka thënë Sheqir Maliqi.

KOHA i ka shikuar çmimet për këto pajisje në një depo farmaceutike dhe ato janë shumë më të lira sesa çmimet që i ka paguar Komuna e Podujevës. Për shembull, 1 defibrilator me monitor Komuna e ka paguar 5 mijë e 850 euro, ndërsa sipas çmimeve të kësaj depoje ai kushton 1 mijë euro, që i bie se Komuna ka paguar gati pesëfish më shumë. Pastaj 6 sterilizatorë Komuna i ka blerë nga 2 mijë e 250 euro, kurse sipas çmimit të tregut ai kushton 400 euro.

Katër EKO me interpretim janë blerë nga 2 mijë e 850 euro, ndërsa çmimi real është 900 euro.

Sipas kësaj kontrate, Komuna i ka blerë 2 inkubatorë nga 12 mijë e 125 euro, kurse çmimi sipas kësaj depoje farmaceutike është 1 mijë euro, që i bie se komuna ka paguar 11 herë më shumë. Po ashtu komuna i ka blerë 10 çanta emergjente komplet nga 380 euro dhe po ashtu 15 peshore digjitale për të rritur me matëse gjatësie nga 350 euro, e që të dyja në treg shiten për 30 euro për copë. Në këtë kontratë pothuajse të gjitha pajisjet e blera kanë çmime shumë më të larta se ato të tregut, përjashto tavolinën për instrumente që është blerë sipas çmimit të tregut për 250 euro.

KOHA ka provuar të kontaktojë me zyrtarët e “Medicas”, por numri që gjendet në internet ka qenë i paqasshëm, njësoj sikur edhe ueb-faqja e saj.

Ndërkohë, ushtruesi i detyrës së drejtorit të QKMF-së, Bejtush Jashari, i cili ka qenë kryetar i Komisionit për pranimin e këtyre pajisjeve, ka thënë se procedurat e prokurimit i ka udhëhequr Komuna e Podujevës dhe se nuk ka qenë detyrë e tyre t’i shikojnë çmimet e pajisjeve, por vetëm nëse sasia e tyre përputhet me ato në kontratë.

Në kohën kur është nënshkruar kjo kontratë në krye të QKMF-së ka qenë Zaim Thaçi. Ndërsa prej vitit 2018 deri këtë javë Thaçi ka qenë drejtor për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. I njëjti për performancë të dobët është shkarkuar këtë javë nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të Komunës, Nexhmi Rudari.

KOHA ka provuar të kontaktojë Thaçin për këto çmime, por ai nuk e ka hapur telefonin. Përgjigje nuk kanë kthyer as zyrtarët komunalë të Podujevës.

Në anën tjetër, kryesindikalisti Maliqi thotë se përderisa buxheti për shëndetësi keqpërdoret nga çmimet astronomike, QKMF-ja përballet me mungesë të barnave e gjërave elementare për punë.

“Këtu po bëhen hajni e dallavere e nuk po gjykohet askush, s’po merret në përgjegjësi kurrkush, s’po jep llogari askush. Mua më vjen keq për buxhetin, kemi mungesë të barnave, mungesë të gjërave elementare këtu, a buxheti jonë keqpërdoret në këtë mënyrë”, ka thënë ai.