Arbëri

Problemet pronësore pamundësojnë investimet në infrastrukturën e tregut në Viti

Tregu i Gjelbër në Viti nuk menaxhohet nga qeverisja komunale, ngase prona i takon Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Zyrtarë komunalë deklarojnë se kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës dhe AKP-ja që prona e tregut në sipërfaqe prej 9 ari t’i bartet Komunës, por që ka munguar një përgjigje nga këto dy institucione.

Sipas tyre, për këtë shkak nuk kanë mundur që të investojnë në rregullimin e infrastrukturës së tregut, raporton KOHA.

Ndërkaq tregtarët ankohen se ata operojnë në pluhur e në baltë për shkak të mungesës së infrastrukturës.

Pushteti komunal në Viti vazhdon të kërkojë nga AKP-ja disa prona të cilat i konsideron si strategjike për zhvillimin e Komunës. Ndërsa AKP-ja nuk ka kthyer përgjigjeje për këtë edhe pse zyrtarët e saj fillimisht kanë premtuar se do ta bëjnë një gjë të tillë.