Arbëri

Reforma në arsim, Kamenica synon që nga 29 objektet shkollore t’i shfrytëzojë 10 prej tyre

Qëndron Kastrati, kryetar i Kamenicës, ka thënë se reforma në arsim e nisur në këtë komunë, ka për synim që nga 29 objektet shkollore të shfrytëzohen vetëm 10 prej tyre për nevojat për arsim.

Në Interaktiv të KTV-së, Kastrati ka thënë se ndryshimet e mëdha demografike kanë bërë që të niset reforma në arsim në këtë komunë.

Ai ka treguar se më 1960 në Kamenicë kanë qenë 1760 lindje, derisa më 2019 vetëm 228.

“Në Kamenicë kemi pasur 25 nxënës pa shokë klase. 19 nxënës me vetëm nga një shok klase. Më shumë se 50 për qind e objekteve kanë pasur në vitin e parë më pak se 5 nxënës për klasë. 7 shkolla janë me më pak se 5 nxënës. Që të ketë edukim duhet të jenë së paku 20 nxënës në klasë. Prej 29 objekteve shkollore vetëm 4 i kanë plotësuar kriteret. Kriteret janë që të ketë numër të caktuar për klasë. Synimi dhe angazhimi është të ketë të paktën 20 nxënës për klasë”, ka thënë ai.

“Në raport me objektet i bie që nga 29 objekte të kthehemi në 10 ku 13 prej tyre ka nxënës që i respektojnë vendimet e katër prej tyre, qe tri javë s’ka ardhje nga asnjë nxënës”, ka shtuar ai.

Të hënën, në Kamenicë një grup qytetarësh protestoi në rrugët e qytetit duke kundërshtuar reformën me të cilën u duhet nxënësve që të udhëtojnë nga fshati në fshat për të ndjekur mësimin.