Arbëri

Banorët e Pejës duan zgjidhje kundër vërshimeve, Komuna fajëson qytetarët

Alije Shefkija, banore e lagjes “Xhemajl Kada” në Pejë, të hënën po nxirrte jashtë shtëpisë dhe oborrit të saj baltën që ia kishin futur brenda vërshimet e së dielës.

Ajo tregon se kjo është hera e tretë që po i ndodh i njëjti dëm nga reshjet e mëdha.

Reshjet e dendura të shiut janë kthyer në shkaktarë ankthi për banorët e lagjes, raporton KOHA.

Sipas Xhevahire Çeku-Kelmendit, drejtoreshë e Shërbimeve Publike, deri te kjo gjendje ndodhi shkaku i mbeturinave që hidhen në kanale, që ua bëjnë të pamundur të përballojnë sasinë e ujit.

“Shkaktar i këtyre vërshimeve që kanë pushtuar qytetin kanë qenë hedhja e mbeturinave nga persona të papërgjegjshëm që i kanë mbyllur ato dy kanale. Mirëpo, edhe kapaciteti i kanaleve është pak më i vogël saqë nuk po mund ta përballojë gjithë atë rrebesh shiu”, ka thënë ajo.

Sipas drejtoreshës, po të mos kishin qenë këta dy faktorë, nuk do të kishte pasur të dielën vërshime në qytet, pavarësisht rrebeshit të furishëm të shiut.

Çeku-Kelmendi u kërkon qytetarëve që të mos hedhin më mbeturina në kanale, ajo është vetë kritike ndaj Komunës, që, sipas saj, duhet të veprojë në zgjerimin dhe rritjen e kapacitetit të këtyre kanaleve akumuluese të ujit.

Derisa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Muhamet Mahmutaj, kërkoi angazhimin e Inspektorati Komunal në gjobitjen e qytetarëve që po hedhin mbeturina në kanalet e hapura.

Sipas drejtorit Mahmutaj, dëme ka pasur në disa pjesë të qytetit dhe ekipet e kësaj drejtorie në terren janë duke i evidentuar dëmet e shkaktuara nga vërshimet e djeshme.