Arbëri

Zjarrfikësit kërkojnë ndërtimin e nënstacioneve në Zhegër, Bresalc dhe Pogragjë

Zjarrfikësit në Gjilan kërkojnë që të ngritën kapacitet e tyre me qëllim që të ofrohen shërbime më efikase në fushën e emergjencave dhe sipas tyre këto kapacitete ngritën atëherë kur fillimisht rritet numri i zjarrfikësve në këtë komunë dhe ndërtohen nënstacione të reja në disa vendbanime.

Në strategjinë e tyre parashihet që të ndërtohet një nënstacion i ri në fshatin Bresalc, i cili si lokacion vlerësohet se është i përshtatshëm ku edhe do të kenë një qasje më të lehtë në autostradën Gjilan-Prishtinë e cila është në ndërtim e sipër.

Ata kërkojnë që të ndërtohet një nënstacion në fshatin Zhegër dhe në fshatin Pogragjë.

Komandanti i stacionit të zjarrfikësve në Gjilan, Rabit Murseli, deklaron se numri i zjarrfikësve në këtë komunë është i vogël. Ai kërkon që strategjia e tyre të aprovohet nga institucionet lokale dhe qendrore.

“Kemi bërë kërkesa që të kemi njësitë tona nëpër këto vendbanime me qëllim që të kemi një intervenim më të shpejtë. Shembull nëse ka një zjarr në fshatin Stanqiq në kufirin Kosovë-Maqedoni atëherë ekipet tona nga qyteti u duhet 30 minuta kohë që të shkojnë deri në atë lokacion. Paramendo se çfarë dëme shkakton zjarri për 30 minuta. Nëse do të kishim njësitë tona vartëse në Zhegër atëherë në Stanqiq do të arrinim më shpejtë. Kemi 31 zjarrfikës për momentin por në bazë të rregullave do të duhej të kishim një numër më të madh që është 65”, thotë ai.

Ai thotë se ndërtimi i një nënstacioni në një vendbanim mundet t’i kushtojë buxhetit të shtetit 200 deri 300 mijë euro por thotë se kjo shifër do të ndryshohej ngase beson se do të siguronin donacione nga mekanizmat ndërkombëtar të cilët mbështesin Kosovën sa i përket ngritjes së kapaciteteve në sektorin e emergjencave.

“Kemi diskutuar edhe me organet komunale për këtë strategji tash u mbetet atyre se në çfarë modalitete do të zgjidhin këtë. Me 200 deri 300 mijë euro ngritët një njësi me kamion me personel. Por mundet edhe me kushtuar më lirë sepse ka vullnet që të na ndihmojnë në sferën e emergjencave dhe këtë e ka shprehur edhe bashkësia ndërkombëtarë. Në këto pika që ne kemi propozuar që të vendosemi janë shumë efektive. Nëse shpëtohet një jetë e njeriut atëherë arsyetohen shpenzimet. Edhe në Bresalc ne do të kishim më afër autostradën dhe në rast të ndonjë emergjence do të intervenonim më shpejtë”, shprehet ai.

Ndërkaq në komunën e Gjilanit deklarojnë se ndërtimi i nënstacioneve të reja komplikohet për shkak të buxhetit ngase me rritjen e stafit të zjarrfikësve krijohen shpenzime dhe se ata nuk besojnë se niveli i qeverisjes qendrore në këtë periudhë do të procedojë me këtë çështje.

Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Sami Spahiu, thotë se duhet një koordinim me të gjitha institucionet ngase zjarrfikësit janë pjesë e Agjencisë së Emergjencave Civile i cili institucion i përgjigjet nivelit qendror të qeverisjes.

“Ka implikime të mëdha buxhetore dhe në këtë pjesë nuk është në dorën tonë kur është fjala për rritjen e numrit të personelit. Është në përgjegjësi e nivelit qendror. Sa i përket hapësirave komunale ku mendohet të ndërtohen nënstacionet për ne nuk është një problem i madh. Mirëpo kjo pjesa tjetër është problematike sepse është një konglomerat që duhet të merret me këtë çështje. Ne na duhen 70 zjarrfikës që t’i kemi në dispozicion dhe këto kapacitete na mungojnë”, ka thënë Spahiu.