Arbëri

Kërkohet rifillimi i punimeve në objektin e shkollës së mesme të arteve pamore

Ka kohë që punimet në objektin e shkollës së mesme të arteve pamore janë ndërprerë. Ministria e Arsimit, e cila financon këtë projekt, nuk ka dhënë sqarime për arsyet e mosvazhdimit të punimeve. Objekti vazhdon të dëmtohet, shiu depërton brenda e po ashtu muret kanë filluar të dëmtohen. Për këtë objekt nuk kujdeset askush dhe ka hyrje të paautorizuara.

Në këtë objekt shkollor shumëkatësh nuk janë vendosur as të gjitha dritaret. Ishte e paraparë që në këtë objekt të vijojnë mësimin nxënësit e shkollës së muzikës dhe nxënësit nga shkolla e arit.

Drejtori i shkollës së arteve pamore, Roland Masurica, thotë se për shkak se objekti i tyre nuk është gati, ata do të duhet të vazhdojnë të shfrytëzojnë hapësirat e shkollave të tjera.

Kurse drejtuesit e shkollës së muzikës në Gjilan shpresojnë se punimet do të rifillojnë dhe projekti të përmbyllet.

“Të gjithë po shpresojmë që ndoshta do të ketë një përshpejtim të punëve atje që ne të kalojmë në një vend ku janë kushtet adekuate për mësimin muzikor ku ekziston një sallë kocentrale ku ekzistojnë klasat me standarde me izolim dhe të gjitha ato kërkesat të cilat duhet për me funksionu siç duhet një shkollë e muzikës.

Kurse drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica, kërkon nga Ministria e Arsimit të ndërmarrë masa për rifillim të punimeve.

Gagica i ka thënë KTV-se se zyrtarisht nuk kanë pranuar asnjë shkresë nga Ministria për arsyet e ndërprerjes së punimeve.