Arbëri

Të dëmtuarit nga vërshimet e vitit të kaluar në Pejë nuk u kompensuan

86-vjeçarit nga Peja, Kurtesh Spahiut, në muajin mars të vitit të kaluar nga vërshimet, uji i kishte depërtuar deri në një metër në shtëpi, ndërsa edhe pas një viti mund të vërehen dëmet që pësoi.

Uji që ia përmbyti shtëpinë më 7 mars, i kishte shkaktuar dëme të konsiderueshme në pajisje elektrike të amvisërisë dhe mobilieri, raporton KTV.

Këto dëme janë konstatuar edhe nga komisioni komunal, i cili i kishte vlerësuar në vlerë rreth dy mijë euro, për çka i ishte premtuar se brenda pak kohësh do të kompensohet.

Këtë vlerësim të komisionit, Spahiu e dëshmon me vërtetimin që i është lëshuar më 26 prill të vitit 2016, nga ish-drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Por, ai ankohet se edhe pas gjithë kësaj kohe nuk ka arritur t’i marrë mjetet e premtuara nga komuna.

Nga ato vërshime kishin pësuar dëme edhe shtëpi e dyqane të tjera në qendër të qytetit.

Por se sa është lartësia e dëmit të përgjithshëm dhe sa persona ishin të përfshirë në listat e krijuara nga komisioni, nuk dihet, ngase ato lista nuk gjenden askund.

Drejtori aktual për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ukë Selimaj, arsyetohet se në këtë pozitë ka ardhur më vonë, derisa thotë se nuk i ka ato lista.

Madje, sipas tij, komuna nuk ka ndarë asnjëherë buxhet që t’i kompensojë qytetarët që kanë pësuar dëme nga vërshimet.

Fokusi kryesor i komunës thotë të jetë zhvillimi i infrastrukturës.

Të reshurat e mëdha të shiut një vit më parë, të përcjella edhe me breshër dhe erë të fortë, patën dëmtuar disa kultura bujqësore në dy fshatra të Pejës.

Por që as për këto dëme nuk është kompensuar asnjëri prej fermerëve që kishte pësuar këto dëme.