Arbëri

Në Kamenicë sonte fiken dritat për një minutë si protestë për dhunën në familje

Kryetari i Komunës së Kamenicës ka njoftuar se në shenjë proteste për vrasjen e një gruaje në Kamenicë, nga ora 21:00 në këtë komunë do të fiken dritat për një minutë.

Ai ka bërë thirrje që të bashkohen të gjithë në thirrjen e Grupit të Grave të Kamenicës për të kundërshtuar ngjarjet e tilla dhe dhunën në familje.

“Në shenjë proteste për ngjarjen që ndodhi ditën e shtunë, ku një grua humbi jetën si pasojë e dhunës në familje, ju ftoj të gjithëve që sonte në ora 21:00 t'i fikni dritat për një minut. Bashkohuni edhe ju në thirrjen e Grupit të Grave të Komunës së Kamenicës, kundër dhunës në familje. #StopDhunësnëFamilje”, ka shkruar ai.

Të shtunën në Kamenicë një grua ka vdekur si pasojë e goditjeve me shufër metalike që ka marrë nga burri i saj.