Arbëri

Komuna e Prizrenit prezanton ueb-faqen e re të turizmit

Komuna e Prizrenit të hënën ka prezantuar ueb-faqen e re të turizmit.

Autoritetet lokale kanë theksuar se në këtë ueb-faqe do të ofrohen të gjitha informatat e nevojshme për vizitorët.

Kryetari Mytaher Haskuka ka theksuar se në periudhën e pandemisë sektori i turizmit është prekur shumë dhe se me informatat e ofruara në këtë ueb aktualisht synohet që të stimulohet turizmi i brendshëm, por edhe nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut si dhe diaspora.

“Shpresojmë që ata që donë me pa se çka mund të bëhet në Prizren të hyjnë në ueb faqe me i marrë informatat e duhura për qytetin tonë, por edhe ofertat turistike që i ka Prizreni”, ka thënë Haskuka. Sipas tij, turizmi mbetet prioritet i Komunës së Prizrenit.

Drejtoresha e Turizmit në Komunën e Prizrenit, Sevil Kazaz, ka theksuar se në ueb-faqen e turizmit mund të gjenden informatat, ofertat turistike, trashëgimia kulturore e natyrore, si dhe vendet për vizita që janë të prezantuara me hartë.

Ndërkaq Armend Aliu nga “Spinp Agency” ka bërë të ditur se kjo ueb-faqe është dinamike dhe se në të janë të potencuara të gjitha elementet e sektorit të turizmit në Prizren.

Sipas zyrtarëve komunalë kontrata për krijimin dhe mirëmbajtjen e kësaj ueb-faqeje është 3 vjeçare, me një kosto prej 11 mijë e 900 eurove.