Arbëri

Prokuroria vendos masën e monitorimit të ndërtimit në Rugovë

Pejë, 24 korrik – Prokuroria Themelore e Pejës të hënën kishte urdhëruar policinë që të ndalojë bartjen e materialit ndërtimor në Rugovë pa leje ndërtimi, si masë parandaluese për kryerjen e veprës penale “ndërtim pa leje”.

Këtë urdhëresë të prokurorisë e ka zbatuar Drejtoria e Stacionit Policor të Pejës, duke kthyer mbrapa secilin automjet të ngarkuar me material ndërtimor.

Ndaj kësaj ndalese kishin reaguar banorët e Rugovës të cilët i kishin dhënë ultimatum para tri ditëve prokurorisë së Pejës që ta heqë atë ndalesë brenda 48 orëve, me paralajmërimin se nëse nuk e bënë do të pasojnë protestat e vazhdueshme deri në largimin e saj. Ultimatumi i rugovasve ka skaduar të enjten, ndërsa Prokuroria e Pejës, të premten e ka shfuqizuar urdhëresën e saj duke lejuar serish qarkullimin e materialit ndërtimor në Rugovë.

Mirëpo, prokuroria ka mohuar që në heqjen e asaj mase është ndikuar nga ultimatumi i banorëve të Rugovës.

“Kjo nuk ka të bëjë fare me ultimatumin që është dhënë apo me deklarimet tjera që janë bërë rreth këtij vendimi”, tha për KOHËN, Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë në Pejë.

Nikçi tha se më tepër kanë qenë problemet teknike të natyrave të ndryshme që kanë ndikuar në heqjen e asaj mase për ndalimin e bartjes së materialit ndërtimor në Rugovë.

“Meqenëse janë paraqitur vështirësi teknike në implementim, prokuroria ka vendosur që të lejohet qarkullimi i materialit ndërtimor në Rugovë. Problemet kanë qenë të natyrave të ndryshme, pasi ka pas raste që qytetarët kanë shtëpi të veta në Rugovë dhe kanë dashtë të rinovojnë shtëpinë. Ka pas raste kur ka pas vështirësi në paraqitjen e lejeve të ndërtimit. Gjithashtu ka projekte komunale të cilat janë duke u realizuar në Rugovë. Dhe gjitha këto kanë bërë që të ketë vështirësi në implementimin teknik të asaj urdhërese për ndalimin e bartëses së materialit ndërtimor në zonën e Parkut Kombëtar ‘Bjeshkët e Nemuna”, tha Nikçi.

Por me heqjen e kësaj mase, prokuroria nuk i ka hequr sytë nga ndërtimet në Rugovë. Prokuroria atë masë e ka zëvendësuar me masë tjetër, më të cilën Drejtoria e Parkut dhe Policia e Kosovës do të monitorojnë ndërtimet në atë trevë dhe ata që zihen duke ndërtuar pa leje, ndaj tyre prokuroria do të nis procedura hetimore për veprën penale ndërtim pa leje.

“Prokuroria ka autorizuar organet kompetente, në këtë rast Drejtorinë për Administrimin e parkut kombëtar dhe Policinë e Kosovës, që me raste ku ka dyshime se po bëhet ndërtime pa leje, në këtë rast vepra penale ndërtim pa leje, të merren veprime konkrete në rastet veç e veç, duke i koordinuar veprimet me prokurorin e shtetit”, tha Nikçi.

Për veprimet e reja të prokurorisë, të premten me prokurorin e shtetit, që është koordinator për veprat penale të degradimit të ambientit, janë takuar kryetarët e dy bashkësive territoriale të Rugovës, të cilët pas këtij takimi kanë treguar se janë kundër edhe ndaj vendimit të ri të prokurorisë, por edhe më tepër do t’u shkaktojë probleme banorëve të Rugovës.

“Do t’i takojmë gjithë përfaqësuesit e fshatrave. Do t’i diskutojmë veprimet e ardhshme, por nuk e pash një zgjidhje, ngase nga një pikë statike e policisë në rrugë, policinë bashkë me inspektorët e parkut i tërhoqëm në oborr. Ata pra nuk na e ndalojnë qarkullimin e mallit në rrugë, por vijnë në oborr të shtëpisë”, u shpreh Flamur Rexhbogaj, kryetar i Bashkësisë territoriale “Rugova 2”, që mbulon shtatë fshatrat e epërme të Rugovës.

Me lejimin e bartjes së materialit ndërtimor, dy përfaqësuesit e Rugovës thanë se nuk do të mund t’i iket veprës penale “ndërtim pa leje”, pasi sipas tyre banorët ende nuk kanë një adresë ku mund të marrin leje ndërtimi dhe për këtë arsye për ata është i papranueshëm ndjekja penale për ndërtimet pa leje në atë trevë.

“Prandaj, çdo veprim i Parkut apo i policisë në pronat tona është i papranueshëm për neve dhe assesi nuk do të pranojmë që të ekzekutohen vendime apo dënime në shqiptime të ndryshme, të cilat i shkaktojnë dëme pronarëve privat nëpër tokat private në zonën e tretë zhvillimore të Rugovës”, tha Agron Nikçi, kryetar i Bashkësisë Territoriale “Rugova 1”, që mbulon shtatë fshatrat e poshtëm të Rugovës. Pamundësia e pajisjes me lej për ndërtime në fshatrat e Rugovës, të cilat gjenden brenda zonës së Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, ndërlidhet me mungesën e planit hapësinor për këtë park, pa të cilin as komuna e Pejës nuk mund të lëshoj leje ndërtimi.

Ligji për këtë park kombëtar është shpallur në vitin 2012 dhe pastaj Draft-Plani Hapësinor, është hartuar si draft dokument në vitet 2013-2014 nga Instituti për Planifikim Hapësinor. Dhe që atëherë e deri më sot ky draft dokument me rëndësi jetike për Trevën e Rugovës, nga asnjëra qeveri nuk është miratuar e ta dërgojë atë për aprovim në Kuvendin e Kosovës.

Për shkak të mungesës së këtij plani, prej që është shpallur parku kombëtar, janë ndërtuar me qindra objekte të ndryshme pa leje ndërtimi në gjitha fshatrat e Trevës së Rugovës dhe po vazhdojnë të ndërtohen.