Arbëri

Vushtrria kërkon që shërbimet për pacientët me COVID-19 të barten në Mitrovicë

Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka kërkuar nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, që të tërhiqet vendimi për shndërrimin e Spitalit të Vushtrrisë në Spital Covid.

Përmes një postimi në Facebook ai ka thënë se një kërkesë të tillë po e parashtron pas ankesave të vazhdueshme nga qytetarët në Vushtrri të cilët nuk po mund të marrin shërbime dytësore në këtë spital.

Tahiri ka propozuar që spitali Covid të bartet në Mitrovicë, pasi siç thotë ai, ka numër më të madh të profileve mjekësore, më shumë staf e pacientë të dyshuar dhe konfirmuar me COVID-19.

“Ju kërkoj që Spitalin Covid, ta bartni në Mitrovicë, meqë hapësirat e spitalit janë më të përshtatshme dhe nuk cenohen shërbimet tjera shëndetësore. Duke shpresuar në reflektimin dhe mirëkuptimin tuaj, mbes me shpresë se do të tërhiqni Vendimin për shndërrim të Spitalit të Vushtrrisë në Spital Covid dhe me këtë do ndihmoni shëndetit të qytetarëve të Vushtrrisë dhe të filloni me bartje të pacientëve të dyshuar dhe konfirmuar me Covid-19 në Spitalin e Mitrovicës”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se vendimi për shndërrimin e spitalit të Vushtrrisë në Spital Covid, është marrë pa u konsultuar paraprakisht komuna.

“Si Kryetar i Komunës, në fillim nuk kam kundërshtuar këtë Vendim, duke pasur parasysh gjendjen epidemiologjike në tërë Kosovën dhe situatën emergjente në shëndetin publik, por më poshtë do të ju rendis disa nga arsyet pse ky Vendim duhet të revidohet, për çka edhe kam njoftuar sot në takim ushtruesin e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të ShSKUK-së, dr. Valbon Krasniqi”, ka shkruar ai.

Sipas tij, prej ditës së parë të shpalljes së Spitalit për Covid-19, qytetarëve të Vushtrrisë iu është rrezikuar shëndeti, meqë nuk po mund të marrin shërbimet shëndetësore të nivelit dytësor në spital.

“Kam pranuar shumë shqetësime nga qytetarët e Vushtrrisë, mjekët dhe infermierët e spitalit se stafi nuk ka mjetet mbrojtëse të nevojshme për punë. Stafi i paraparë të vije nga Spitali i Mitrovicës për 3 ditë nuk ka ardhur si mbështetje siç ka qenë e paraparë. Po ashtu, bazuar në informatat që kam, në Spital ka hyrje-dalje të pakontrolluara nga qytetarët, ka mbi 100 vizitorë në ditë që paraqesin rrezik të madh për përhapje të infeksionit tek qytetarët, meqë edhe ashtu Komuna e Vushtrrisë është zonë me numër të lartë të të infektuarve dhe rasteve të kontaktit”, ka shkruar tutje Tahiri.

Ndërkaq sipas tij, punëtorët fizikë që do të duhej të ndalonin prezencën e palëve nuk po kryejnë punën e tyre.

“Një shqetësim tjetër është se në hapësira të përbashkëta, në një oborr ndodhet edhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, ku gravitojnë numër i madh i pacientëve ambulantor dhe që rreziku është rritur pasi Spitali është bërë për trajtim të rasteve Covid. Së fundmi, ka një fushatë të orkestruar kundër meje si Kryetar i Komunës, lidhur me këtë Vendim, e që nuk ka qenë i imi”, ka shkruar ai.