Arbëri

Ministrja Dumoshi vizitoi Vitinë inspektoi punimet në projektet e sportit të cilat janë larg finalizimit

Descriptive Text

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, kanë nënshkruar marrëveshjen e re për vazhdimin e punëve në rivitalizimin e Shtëpisë së Kulturës.

Ministrja Dumoshi ka vizituar këtë komunë duke inspektuar punimet të cilat po zhvillohen në disa projekte të kulturë dhe sportit ku financues është Ministria. Ajo ka vizituar vendin ku edhe po ndërtohet palestra e sportit në fshatin Drobesh një investim mbi 1 milion euro

"Kjo palestër ka qenë e nevojshme për Vitinë, do të zhvillohen disa sporte si gjimnastika, basketi e hendbolli dhe për koncerte të ndryshme. Kjo do të përmbush nevojat e sporteve dhe pjesës kulturore. Presim që punët të zhvillohen tutje dhe palestra të funksionalizohet. Me kryetarin biseduam dhe ne do të qëndrojmë gati me pagesat ndaj punëkryesit në bazë të punimeve që kryen dhe i arsyeton kompania.Urojm që vitin e ardhshëm do të jetë i përfunduar projekti” ka thënë ajo.

Kurse kryetari i Vitisë, Sokol Haliti ka deklaruar se komuna e tyre ka nevojë që t’i funksionalizojë objektet kulturore e sportive.

"Është e nevojshme që palestra të përfundohet sa më shpejt dhe të jetë e gatshme për sportistët. Vitia frymon me sportin dhe ka personalitete të njohur në fusha të ndryshme, klube të gjimnastikë e basketit e tjera. Kjo palestër do të jetë në dispozicion edhe për aktivitete të shumta kulturore për vitiasit, mund të kthehemi të jemi vatër kulturore por na duhet infrastruktura", ka thënë Haliti.

Përveç vizitës në ambientet e shtëpisë së kulturës, Ministrja Dumoshi vizitoi edhe stadiumin e qytetit ku edhe janë duke u zhvilluar punimet e infrastrukturës. Ministria është zotuar se do të investojnë në tri objekte të vjetra të trashëgimisë kulturore.