Arbëri

Protestë në Godanc të Shtimes, banorët kërkojnë zgjidhjen e një kontesti pronësor

Banorët e fshatit Godanc të Shtimes kanë protestuar sërish, duke kërkuar zgjidhjen e një kontesti pronësor prej afro dy hektarësh. Parcela, sipas banorëve, para luftës ishte tokë e ish-Kooperativës Bujqësore, por pas luftës ajo është shfrytëzuar nga banorët e fshatit.

Ata thonë se biznesmeni nga Shtimja, Sali Beqa, i cili tash është pronar i parcelës, së bashku me institucionet publike kanë manipuluar me dokumente derisa pikat kadastrale nuk përputhen me gjendjen faktike. Në vendin e ngjarjes, të premten, kanë dalë edhe organet e prokurorisë dhe gjykatës, për të bërë një ekspertizë profesionale, raporton KOHA.

“Ka ndodhur si në të gjitha fshatrat tjera, uzurpimi i pasurisë komunale, kush i ka dhënë, çfarë është duke ndodhur nuk po e dimë”, ka thënë Liman Muhadini, përfaqësues i fshatit Godanc.

Në anën tjetër, biznesmeni nga Shtimja, Sali Beqa, thotë se parcelën e ka blerë në vitin 1996 nga një serb, të cilit ish-Kooperativa Bujqësore ia kishte bartur pronën në emrin e vet.

“Nuk e di çka janë duke dashur, unë dokumentin e kam, ua kam shitur njerëzve, ua kam bërë bartjen, i kanë në emrin e tyre, paratë i kanë dhënë, s’di çfarë të them për këtë punë”, ka thënë: Sali Beqa, biznesmen dhe blerës i parcelës.


Në Komunën e Shtimes kanë thënë se bartja e kësaj prone është bërë duke u bazuar në dëshmi nga blerësi dhe ligjet në fuqi të asaj kohe.

Përfaqësuesit nga Prokuroria dhe Gjykata e Ferizajt, të cilët qëndruan në vendin e ngjarjes në Godanc, nuk kanë dashur të flasin rreth kësaj çështjeje.