Arbëri

Komuna e Rahovecit redukton stafin

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka vendosur që të reduktojë stafin e zyrtarëve të kësaj komune, si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Vendimi i ri nuk prek vetëm personelin shëndetësor dhe Inspektoratin komunal.

Drejtorët e drejtorive komunale tani duhet të përcaktojnë orarin dhe të bëjnë organizimin e punëtorëve. Po ashtu, është vendosur që, sipas nevojës, shërbimet të kryhen edhe online.

Qytetarët që hyjnë brenda objektit të kësaj komune janë të obliguar të jenë të pajisur me maska dhe dorëza, sipas rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë. Sipas vendimit, e njëjta vlen edhe për punonjësit komunalë, teksa theksohet se shërbimet s’do të jepen për ata që s’i përmbahen manualit për mbrojtje nga përhapja e virusit.

Vendimi thekson se zyrtarët me moshë mbi 60-vjeç dhe ata që vuajnë nga sëmundjet e ndryshme kronike nuk do të paraqiten në vendin e punës.

Ditë më parë, Qeveria e Kosovës vendosi që institucionet publike dhe ato private të reduktojnë stafin dhe me aq sa munden të punojnë online.

Deri tash në Rahovec janë regjistruar 54 persona të infektuar me koronavirus nga 1916 sa janë regjistruar në gjithë vendin.