Arbëri

Përkundër lirimit të masave nuk lejohen zgjedhjet në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut

Descriptive Text

Ndonëse janë liruar pothuajse të gjitha masat për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, presidenti i vendit Hashim Thaçi ka shtyrë për një afat të pacaktuar mbajtjen e zgjedhjeve për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut.

Përveç kësaj komune, edhe ajo e Podujevës që nga shkurti ka mbetur pa kryetar, e ende nuk dihet se kur do të mbahen zgjedhjet për këto dy komuna.

Ato mbeten pa kryetarët e tyre pasi ata zgjodhën poste në Qeverinë e Kosovës. Agim Veliu, kryetari i Komunës së Podujevës ishte zgjedhur ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti, e që të njëjtën pozitë e mbanë edhe në Qeverinë aktuale, ndërsa Goran Rakiq, kryetar i Mitrovicës së Veriut është zgjedhur zëvendëskryeministër në qeverinë e Avdullah Hotit.

Zyra e Presidentit në një përgjigje me shkrim ka thënë se presidenti është duke përcjellë ecurinë e pandemisë dhe se në konsultim me KQZ dhe institucionet shëndetësore, varësisht prej rrethanave do ta marrë vendimin.

"Presidenti në mënyrë të vazhdueshme po e përcjellë ecurinë e gjendjes së krijuar me pandeminë dhe në konsultim me KQZ-në dhe institucionet shëndetësore, varësisht prej rrethanave, do ta marrë vendimin e duhur", thuhet në përgjigje.

Ndërkaq, drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike Naser Ramadani, nuk ka dashur të flas nëse do të rekomandojë mbajtjen e zgjedhjeve për këto dy komuna.

Përkundër insistimit, ai shkurt përmes telefonit ka thënë se janë në mbledhje për shëndetin e qytetarëve dhe nuk është përgjigjur në pyetjen se a do të rekomandojnë që zgjedhjet të mbahen.

“Jemi duke fol për shëndetin e qytetarëve, jemi në mbledhje për shëndetin e qytetarëve, kemi raste të kontaktit, jemi në Klinikën Infektive”, tha ai përmes telefonit.

Në anën tjetër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vazhdon të jetë në pritje të vendimit të presidentit që të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve.

Zëdhënësi i këtij institucioni Valmir Elezi, për KosovaPress, ka shprehur gatishmërinë e KQZ-së, se kurdo që u kërkohet do të organizojnë zgjedhjet për këto dy komuna.

Ndërsa, lidhur me situatën specifike në të cilën ndodhemi për shkak të pandemisë, ai tha se nuk mund të japin një përgjigje për aspektet që kanë të bëjnë me shëndetin e qytetarëve, pasi janë institucionet tjera përkatëse dhe profesionale që e kanë fushë të përgjegjësisë së tyre.

“Sa i përket konkretisht zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut, mund të themi që KQZ-ja fillon me përgatitjet intensive të këtij procesi zgjedhor pasi të shpallet ai nga ana e presidentit të Kosovës. Ndërkaq, sa i përket vazhdimit të procesit të organizimit të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Podujevës, gjithashtu KQZ-ja do të vazhdojë me organizimin e këtyre zgjedhjeve sapo të kemi një datë nga ana e presidentit të Republikës së Kosovës. Dihet që proceduralisht sapo të shpallet data për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, në këtë rast për kryetar të një komune ajo çka bënë KQZ është fillimisht marrja e një vendimi përmes së cilit shqyrtohen afatet kohore për organizimin e një procesi zgjedhor dhe pastaj është edhe miratimi i planit operacional, ku parashihen të gjitha aktivitetet dhe koha se kur duhet të kryhen këto aktivitete në mënyrë që të realizohet një proces zgjedhor", tha ai.

Shtyrjen e mëtejshme të mbajtjes së zgjedhjeve për kryetar të këtyre dy komunave e sheh të panevojshëm njëri nga kandidatët për kryetar të Podujevës.

Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje, që është kandidat për të parin e Podujevës, tha se tash pasi që janë liruar masat nuk ka arsye që këto zgjedhje të mos mbahen.

“Jemi në pritje që të merret dekreti i presidentit që të zhbllokojë çështjen e pezullimit të këtyre zgjedhjeve për komunën tonë. Mendojmë që tanimë nuk ka asnjë arsye që ky proces më tutje të prolongohet. E vetmja arsye mund të jetë e atyre të cilët mund të kenë frikë nga humbja e sigurt e këtyre zgjedhjeve në Komunën e Podujevës. Prandaj, nga këtu i bëjë apel presidentit të vendit që sigurisht në bashkëpunim me institucionet tjera të shëndetit publik sa më shpejt të hap procesin dhe të hap rrugën e mbylljes së këtij procesi zgjedhor i cili ka mbetur në gjysmë për shkak të pandemisë”, tha ai.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka liruar pothuajse të gjitha masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke hequr kufizimin e lirisë së lëvizjes dhe hapjen e kufijve.

Deri më tani në Kosovë janë gjithsej1437 raste më COVID-19, ku 921 persona janë shëruar dhe 33 kanë vdekur.

Zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës ishin paraparë të mbahen në muajin mars, po ato u anuluan për shkak të rasteve me COIVD-19 në vend.