Arbëri

Fermerët e Lipjanit kërkojnë të përfshihen në pakon emergjente

Fermerët e Komunës së Lipjanit që merren me prodhimin e patateve, dredhëzave dhe fidanëve të ndryshëm po ankohen se produktet e tyre po dëmtohen si pasojë e mbylljes së tregjeve dhe rënies së interesimit të qytetarëve për t’i blerë ato. Hashim Krasniqi nga fshati Konjuh ka thënë se gjatë situatës së pandemisë i janë dëmtuar mbi 30 tonë patate. Ka treguar se nuk ka marrë mbështetje institucionale, pasi që pakoja emergjente e Qeverisë së Kosovës nuk e ka përfshirë biznesin e tij. Ai sivjet ka të mbjella rreth 40 hektarë me patate dhe kultura të tjera.

“Situata e pandemisë ka ndikuar jashtëzakonisht shumë duke e dëmtuar biznesin tonë. Pamundësia e shitjes së patateve po e vështirëson punën tonë, sepse kjo ndërlidhet edhe me shpenzime të tjera të derivateve dhe produkteve të tjera për prodhimin e patateve të reja. Sivjet kemi të mbjellë rreth 40 hektarë, mirëpo patatet e vitit të kaluar rreth 30 tonë po duhet t’i hedhim në mbeturina, sepse janë dëmtuar shkaku që nuk janë shitur”, ka thënë Krasniqi. Ai kërkon nga institucionet lokale dhe ato qendrore një mbështetje pasi që biznesi i tij është dëmtuar shumë.

Pandemia ka shkaktuar dëme edhe te fermerët e tjerë.

“Jemi dëmtuar mjaft shumë, mirëpo po presim që së shpejti do të hapen tregjet dhe situata të rikthehet në normalitet. Ne si biznes familjar nuk jemi përfshirë në pakon emergjente. Përveç dredhëzave, nën serra kemi mbjellë edhe speca, domate, tranguj etj., por nuk e di se ku do t’i shesim apo si do të veprojmë. Kërkojmë përkrahje nga institucionet komunale, por edhe nga ato qendrore, sepse pandemia po i dëmton çdo ditë e më shumë bizneset”, ka thënë Gëzim Peja, fermer nga fshati Kraishtë.

PDK-ja, Dega në Lipjan, nëpërmjet një shkrese zyrtare ka kërkuar nga Komuna të mbahej një mbledhje e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal me qëllim të përkrahjes së fermerëve të dëmtuar. Hyzer Rizani, kryetar i këtij subjekti opozitar në Lipjan, ka thënë se Komuna duhet t’i mbështesë të gjitha bizneset e dëmtuara pa dallime politike. “Si opozitë i kemi vizituar bizneset e dëmtuara, ndërkohë kemi dëgjuar nga vetë fermerët se si po i hedhin produktet e tyre shkaku i mosshitjes. Zyrtarisht nëpërmjet një shkrese kemi kërkuar nga Komuna të mbahet një mbledhje e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal me qëllim që të ndahet një fond i veçantë për t’i përkrahur fermerët, por edhe bizneset e tjera të cilat janë dëmtuar gjatë situatës së pandemisë”, ka thënë Rizani.

Shefqet Amërllahu, drejtor i Bujqësisë në Komunën e Lipjanit, ka thënë se Komuna ka të regjistruar rreth një mijë e 400 fermerë, ndërkohë me rekomandim të Ministrisë së Shëndetësisë kanë nisur identifikimin e dëmeve të tyre, në mënyrë që në të ardhmen të gjenden mundësitë për mbështetje.

“Si në të gjithë Kosovën, edhe në Lipjan fermerët janë dëmtuar shkaku i pandemisë, pasi që nuk kanë mundur t’i plasojnë produktet e tyre nëpër tregjet e Kosovës. Jemi duke i shikuar mundësitë për t’i përkrahur fermerët, ndërkohë Ministria nëpërmjet një e-maili zyrtar ka kërkuar që t’i identifikojmë dhe t’i marrim vlerat e dëmeve te të gjithë fermerët. Po shpresojmë që niveli qendror do t’i përkrahë të gjithë fermerët, sepse produktet e tyre janë dëmtuar jashtëzakonisht shumë”, ka thënë Amërllahu.