Arbëri

Komuna e Malishevës thotë se e ka nën kontroll situatën me rriqrat

Përveç situatës me pandeminë Covid-19, Komuna e Malishevës është duke u përballur edhe me pickimin nga rriqrat.

Nga fillimi i stinës së pranverës rreth 180 persona të pickuar nga rriqrat janë paraqitur në Qendër të Mjekësisë Familjare, por që deri tani nuk ka ndonjë të infektuar me ethe hemorragjike, raporton KOHA.

Sipas drejtorit të Shëndetësisë në Malishevë, Liridon Hoti, gjendja shëndetësore e të pickuarve është e mirë.

Tutje ai ka treguar se kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për trajtimin e rriqrave.

Njëri nga fshatrat më të prekura nga pickimi i rriqrave është Banja, por që, sipas qytetarëve, krahasuar me vitin e kaluar, tani gjendja është më e mirë.

Malisheva në vazhdimësi ka qenë njëra nga komunat më të prekura nga ethet hemorragjike, përfshirë edhe viktima.